TOKYO 2020 — XHUDO
Akili ndalet në kohën shtesë, mbetet në luftë për të bronztën
26 July, 2021 @9:06
Xhudisti më i mirë i Kosovës, Akil Gjakova, ka nisur shpërthyeshëm Lojërat Olimpikë në Tokio 2020, mirëpo është ndalë në duelin çerekfinal nga mongoli Tsogtbaatar Tsend-Ochir.
Duelin e parë Akili e fitoi për 16 sekonda luftë. Me një ippon të shpejtë ai mposhti jemenasin Ahmed Ayash për të kaluar në rrethin e dytë të garës.
Më pas përballë e kishte zviceranin Nils Stump. Forma e njëjtë dhe luftë edhe më e shpejtë e Gjakovës, që pas wazaarit shpejt mbërtheu edhe një ippon për të kryer punë shpejt.
Çerekfinalen Akili e siguroi ndaj suedezit Tommy Macias. Një strategji sulmuese që ishte përgatitur mirë, iu shpërblye Gjakovës për të kapur wazaarin dhe për të siguruar vend në tetëshen më të mirë të botës.
Pejani 25-vjeç në çerekfinale u mposht nga mongoli Tsogtbaatar Tsend-Ochir, ku ky i fundit pas një lufte të fortë fitoi pas kohës shtesë, pasi që për 4-minuta ky duel nuk gjeti fituesin. E në kohën shtesë Tsend-Ochir përmes hedhjes me gjysmë pike, siguroi plasmanin në gjysmëfinale duke eliminuar Akilin.
Gjithsesi shpresa për medalje ekziston, pasi që Akili tash nëse arrin dy fitore në repechage, do të sigurojë të bronztën.
Akilin tash e pret azeri Rustam Orujov, ndërsa nëse e fiton atë do ta kuptojë kundërshtarin tjetër që duhet fituara para se të sigurojë medalje.