MEDIA TALK

Bashkimi drejt FIBA Europe Cup!
7 July, 2025 @14:43
Për herë të paër në histori të klubit, KB Bashkimi do të mund të merr pjesë në gara ndërkombëtare të organizuara nga FIBA Europe këtë stinor. Njoftimin e ka thënë Kushtrim Kabashi, president i klubit prizrenas, në një emision televiziv.
Ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e ekipit portokallezi aty, ndërsa ka bërë të ditur se kanë kompletuar edhe dokumentacionin e nevojshëm për pjesëmarrje.
“Po. Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen. Kemi plotësuar dokumentacionin si prej anës së klubit ashtu edhe prej FBK-së. E kemi marrë shumë seriozisht këtë dhe nuk do të hymë aty sa për të marrë pjesë.” — ka thënë ndër të tjera zyrtari i lartë i ekipit prizrenas, Kushtrim Kabashi në emisionin Asist.
Përndryshe, Bashkimi deri tash në histori të basketbollit të pavarur të Kosovës është bërë vetëm një herë kampion i Kosovës, ndërsa ka disa finale të humbura të playoffit. Sa i përket garave ndërkombëtare, ata kanë marrë pjesë vetëm në Ligën Ballkanike deri tash, ku njëherë kanë arritur gjithashtu në finale të Final Fourit, të cilën e kanë humbur duke u bërë nënkampionë.
FIBA Europe Cup, është gara e dytë më e rëndësishme e basketbollit evropian që organizohet direkt nga FIBA Europe, ndërsa nga ekipet kosovare aty kanë marrë pjesë më parë Prishtina, Trepça, Peja dhe Ylli. Për Bashkimin, kjo do të jetë hera e parë që do të merr pjesë aty.