LËNDIMI I AMERIKANIT TË DALLUAR

Foto: KBBashkimi/ fb
Bashkimi konfirmon frakturën e McKinnisit
5 March, 2025 @13:43
Basketbollisti më i dalluar i Bashkimit këtë stinor në Superligë, Jayveous McKinnis, ka thyer shuplakën e dorës në ndeshje ndaj Trepçës dhe këtë sot e ka konfirmuar edhe klubi prizrenas.
McKinnis që ka qenë më i dalluari i prizrenasve këtë stinor, duke bërë dallimin në Superligë dhe duke kontribuuar që ekipi për herë të parë të arrijë rezultate impresive në Superligë përgjatë stinorit të rregullt, pritet të mungojë së paku një muaj.
“Jayveous McKinnis ka pësuar lëndim në ndeshje ndaj Trepçës dhe pas kontrolleve mjekësore është konfirmuar se ai ka thyer shuplakën e dorës së djathtë. Shërim të shpejtë, Jay!” — ka bërë të ditur KB Bashkimi në njoftimin e lëshuar sot për lojtarin në fjalë.
McKinnis që është 2 metra i gjatë dhe luan në pozitën e alo-qendrës, deri tash këtë stinor me portokallezinjtë ka pasur mesatare prej 26.4 minutash për ndeshje, 11.6 pikë të shënuara për ndeshje, 0.8 asitime për ndeshje dhe 10.2 kërcime për ndeshje, që e bëjnë atë me mesatare double-double për ekipin.
Mungesa e McKinnisit mund të ndikojë tash në lojën e Bashkimit kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të stinorit të rregullt. Prizrenasit që janë aktualisht në pozitë të dytë, mund edhe të humbasin njërën nga dy pozitat e para, që mundëson kalimin direkt në gjysmëfinale të playoffit të Superligës.