TRIUMF I LEHTË
Bashkimi pa problem siguron gjysmëfinalen e Kupës
12 December, 2024 @20:41
Pas fitores së thellë në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Kosovës si mysafir, Bashkimi nuk e ka pasur vështirë që sonte në “Sezai Surroi” të vulosë kalimin në gjysmëfinale ndaj Borës.
Ekipi prizrenas ka fituar ndeshjen me rezultat 97-74 për të siguruar një vend në katërshen më të mirë të Kupës, ndërsa aty do të luajë me fituesin e ndeshjes Ylli-Vëllaznimi.
Robert Rikic me 18 pikë e Lejson Zeqiri me 17 të shënuara kanë qenë lojtarët me më së shumti pikë të shënuara te Bashkimi në fitore, ndërsa trajneri Darko Radulovic i dha mundësi secilit lojtar në dispozicion që të paraqitet në ndeshje, ku thuajse të gjithë shënuan së paku 2 pikë.
Bora që ditë më parë befasoi Bashkimin në kuadër të Superligës, nuk ka pasur fuqi sonte që të bëj më shumë dhe u eliminua nga garat e Kupës, derisa në përballjen që posa përfundoi Dion Haxhosaj me 18 pikë ka qenë lojtari më efikas te mysafirët nga Prishtina.