LIDERI FITON DERBIN E QYTETIT

Bashkimi ruan lidershipin me fitore në derbin lokal
15 March, 2025 @22:42
Me një çerek të tretë të fortë (31-5) Bashkimi ka arritur te fitorja ndaj Prizrenit në përballjen derbi të qytetit të Prizrenit. Portokallezinjtë pas çerekut të dytë jo të mirë, ranë në disavantazh pas pjesës së parë, 38-43.
Mirëpo, paraqitja në çerek të tretë bëri që të ndryshojnë gjërat dhe pastaj ai i fundit kaloi qetë për përfundimtaren 83-70. Dirk Williams me 22 pikë, 3 asistime e 5 kërcime ka qenë lojtari me më së shumti pikë të shënuara te Bashkimi, ndërsa me 17 të tjera kontribuoi Mack Smith, kurse 15 i dha Lejson Zeqiri. Williams ishte fantastik te treshet sonte, duke shutuar me saktësi 6/9!
Te Prizreni që ishte mjaft i mirë në pjesë të parë të ndeshjes, koshashënues më i mirë ishte Jordan Johnson, që dha 28 pikë, bëri 4 asistime e 7 kërcime. Pos tij, me 15 pikë u dallua Lenzelle Smith, ndërsa Edmond Kryeziu kreu lojën me 12 pikë, 2 asistime e 6 kërcime.
Fitorja, ka bërë që Bashkimi të ruajë lidershipin duke e bërë bilancin 17-7 pas 24 xhirosh, derisa deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur edhe katër xhiro. Prizreni është i teti në renditje me bilanc 5-19 dhe tashmë rrezikon mbijetesën secilën lojë, nëse nuk ndërron diçka me vendim të FBK-së, pasi që u përfol mundësia e zgjerimit të ekipeve në Superligë.