PEJA KALON PA PROBLEME PRIZRENIN

Peja rikthen bilancin pozitiv, me fitore ndaj Prizrenit
8 March, 2025 @22:49
Me një çerek të dytë dhe të tretë të fortë, ekipi i Pejës ka shënuar fitoren e radhës në Superligë, duke e mposhtur Prizrenin që nisi mirë ndeshjen. Verdhezinjtë mysafirë të drejtuar nga Sebastjan Kresovec arritën në mënyrë komode te fitorja pas këtyre çerekëve të përmendur, ndërsa në fund fituan me 19 pikë dallim, 79-98.
Krasovec kah fundi i dha mundësi të gjithë lojtarëve që i kishte në dispozicion të shijojnë ndeshjen, ku minimumi i minutave i takoi Andi Ahmetit, me 5:10.
Sa i përket të dalluarve, Dardan Berisha u kthye pas disa ndeshjeve mungesë me 19 pikë, duke shutuar 5/9 për tre pikë, ndërsa bëri edhe 2 asistime 6 kërcime në këtë fitore. Me 17 pikë u dallua Arti Hajdari, që shutoi 5/8 për tre pikë!
Te Prizreni, që tashmë ka edhe 5 xhiro të mbetura për të shpëtuar stinorin në Superligë, më efikasi ka qenë Tervell Beck me 19 pikë të shënuara, ndërsa me 17 pikë ndeshjen e kreu Lenzelle Smith.
Peja, me këtë fitore ka rikthyer bilancin pozitiv, duke u bërë 12-11 tash, ndërsa Prizreni bie në 5-18. Për momentin, pas ndeshjeve të së shtunës, Peja është e katërta në renditje, ndërsa Prizreni në vend të fundit, të tetin.