LIDERE!

Foto: KBPrishtina/ fb
Ecuria perfekte, bën Prishtinën lidere të shtunën!
8 March, 2025 @23:42
Tashmë seria e fitoreve të Prishtinës shkoi në nëntë radhazi. Ekipi i vetëm në Superligë pa humbje në vitin 2025, ndërsa bardhekaltërit kanë fituar derbin lokal ndaj Borës për të marrë kreun e Superligës sonte, me një ndeshje më shumë sesa Trepça e Bashkimi, që luajnë të dielën!
Prishtina ka shënuar fitore ndaj Borës 67-72, ndërsa ekipi i Murat Bilges ka vazhduar formën e mirë në Superligë duke ngadhënjyer me 5 pikë dallim ndaj Borës, pas këndelljes në çerek të fundit (11-20) pasi që debutuesit e Superligës kishin bërë kapital të mirë në çerek të parë (26-12).
Rasid Mahalbasic me 17 pikë, 3 asistime e 8 kërcime ka qenë lojtari më efikas i Prishtinës në fitore. 16 pikë i dha Josh Nzeakor, që bëri edhe 9 kërcime, kurse 14 pikë lojën e kreu Jordan Davis, ndër ardhjet e fundit në ekip.
Alex Lomax me 18 pikë, 5 asistime e 3 kërcime ishte më efikasi te Bora në humbje, ndërsa me 11 pikë, 5 asistime e 6 kërcime luajti Adem Mekic.
Fitorja bën që Prishtina të bëhet me bilanc 15-8, pas serisë prej nëntë fitoreve radhazi dhe të dalë në vend të parë me një ndeshje më shumë, ndërkaq Bora është me bilanc 8-15, për momentin falë koshdallimit dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar në pozitë të gjashtë.