FITORE E MADHE E YLLIT!

Ylli befasoi kampionen!
9 March, 2025 @22:20
Në një ndeshje mjaft interesante dhe falë rezultatit më të mirë në pjesë të parë të duelit, Ylli ka arritur të befasojë Trepçën për të marrë fitore të rëndësishme në luftë për pozitën e fundit që dërgon në playoff!
Ekipi suharekas i drejtuar nga slloveni Ales Pipan ka fituar ndeshjen me 8 pikë dallim, 82-74, ndërsa diskualifikimi i Drilon Hajrizi për shkak të teknikeve në gjysmë të çerekut të dytë luajti rol të rëndësishëm në paraqitjen e Trepçës.
Derrick Wilson dhe Jan Palokaj luajtën pa pushim te Ylli. Në 40 minutat e tyre, Wilson shënoi 12 pikë, 3 asistime e 4 kërcime, kurse Palokaj dha 21 pikë, 4 asistime e 3 kërcime në fitore.
Paraqitje të mirë kishte edhe Artin Gashi, që dha 11 pikë e bëri 6 kërcime, derisa Jalen Nesbitt kreu lojën me 16 pikë. Ky i fundit ishte më i miri në paraqitjen e përgjithshme, duke regjistruar edhe 4 topa të vjedhur dhe 2 bllokada!
Te Trepça që assesi nuk arriti të shkrinte epërsinë e Yllit nga pjesa e parë, lojtari më efikas ka qenë Michael Green III me 22 pikë, 8 asistime e 4 kërcime. Samuel Hunter dha 14, ndërsa Michael Myers 13 pikë e 14 kërcime.
Humbja, bën që Trepça të mbyllë xhiron XXIII në pozitë të dytë me bilanc 15-8, kurse Ylli merr frymë në pozitën e gjashtë me fitoren e dhjetë të stinorit për të pritur xhiron tjetër me bilanc 10-13!