E TRETA ME RADHË

Foto: KBBashkimi/ fb
Çereku i fundit vendimtar, Bashkimi afër sigurimit të gjysmëfinales direkte
22 March, 2025 @23:14
Bashkimi ka shpërthyer në çerek të fundit të ndeshjes për të siguruar fitoren ndaj Borës në një ndeshje mjaft interesante të zhvilluar të shtunën mbrëma në “1 tetori”.
Me dallimin 10 pikësh që e fitoi çerekun e fundit, 18-28 Bashkimi bëri rezultatin e nevojshëm për fitore, 79-88, ndaj Borës që u tregua mjaft e fortë dhe e sigurt sonte.
Prizrenasit në minutën e katërt të çerekut të fundit kaluan në epërsi me treshen e Lejson Zeqirit dhe prej atëherë nuk kthyen më kokën mbrapa. Zeqiri shënoi edhe një treshe, ndërsa në sulmin tjetër Samir Zekiqi dha dyshe, për ta bërë rezultatin 69-77 kur kishin mbetur edhe 4.50 minuta deri në fund të ndeshjes.
Bora nuk arriti më shumë në minutat e fundit dhe kështu Bashkimi shëoni fitoren e tretë kampionale radhazi, për të ruajtur vendin e parë, ndërsa matematikisht i duhet edhe një fitore për të siguruar gjysmëfinalen direkte në playoff!
Wendell Green shënoi 20 pikë në fitore, luajti me 3/4 për tre pikë, ndërsa bëri edhe 5 asistime në ndeshje. Me 18 pikë lojën e kreu Mack Smith, që bëri edhe 4 asistime e 9 kërcime, ndërsa 15 pikë i dha Dirk Williams.
Lejson Zeqiri shënoi 17 pikë, bëri 3 asistime dhe 6 kërcime në fitore, duke pasur edhe treshet vendimtare në “ikjen” e Bashkimit në rezultat, derisa shutoi 3/5 për tre pikë sonte e 4/5 në gjuajtjet e lira.
Derrick Woods i Borës kishte paraqitje shumë të mirë. Ai kreun lojën me double-double prej 19 pikësh e 13 kërcimesh. Me nga 16 pikë në humbje luajtën Alex Lomax dhe Adem Mekic. Të dy këta të fundit, treguan lojë të mirë ekipore, duke regjistruar edhe 5 asistime e 6 kërcime i pari, ndërsa 6 asistime e 7 kërcime i dyti. Por, s’mjaftoi për ekipin prishtinas.
Fitorja, bën që kur kanë mbetur edhe tre ndeshje për tu luajtur në kuadër të stinorit të rregullt, Bashkimi të ketë bilanc 18-7 dhe me një fitore në këto ndeshje do të sigurojë matematikisht gjysmëfinalen direkte të playoffit. Prizrenasit janë lider të Superligës pas 25 xhirosh.
Borën, e ndanë një fitore nga sigurimi teorik i duelit të barazhit për mbijetesë, nëse nuk ndërron diçka në rregulla të FBK-së. Prishtinasit janë në bilanc 8-17 dhe në pozitë të parafundit (të shtatë) në renditje tabelare.