SHKËLQYEN NË PERIUDHËN E FUNDIT

Foto: KBYlli/ fb
Ylli ndali Pejën në 5 pikë në Ç4 për fitore!
22 March, 2025 @23:52
Pas dy çerekëve të parë, Ylli kishte epërsi ndaj Pejës 42-36! Peja përmbysi gjithçka në çerek të tretë për të hyrë në çerek të fundit me epërsi minimale 58-59!
Por, se çka ndodhi me mysafirët në çerek të fundit më së miri mund të tregojë angazhimi i jashtëzakonshëm i suharekasve, që me lojë të mirë mbyllën gjithçka në të mirë të tyre, për të ndalë Pejën në vetëm 5 pikë në periudhën e fundit (14-5), për të fituar ndeshjen 72-64!
Jalen Nesbitt vazhdoi formën e tij të mirë ede në këtë ndeshje, duke qenë koshashënuesi më i mirë i Yllit me 19 pikë. Me 13 pikë ndeshjen e kreu Lis Shoshi që bëri edhe 7 kërcime, kurse 11 të tjera i dha Malcolm Armstead.
Tulio da Silva te Peja kreu lojën me double-double prej 19 pikëve dhe 13 kërcimeev, por kjo nuk mjaftoi për të bërë më shumë sonte ndaj Yllit tejet të angazhuar. Pos tij, vetëm edhe Dardan Berisha shënoi pikë dyshifrore në këtë humbje për Pejën. Dardani luajti me 10 pikë, bëri 3 asistime e 6 kërcime.
Ylli me fitore bën bilancin 12-13 dhe siguron matematikisht playoffin, ndërkaq edhe është ngritur në pozitë të pestë me një ndeshje më shumë të zhvilluar. Peja është e katërta me bilanc 13-12! Kjo ka qenë humbja e parë e Pejës pas tre fitoreve radhazi të shënuara në kampionat. Për Yllin, fitorja e tretë me radhë.