TRIUMF PËR PËRPARËSI!

Foto: KBPrishtina/ fb
Prishtina fiton derbin ndaj kampiones, në luftë për pozitën e dytë!
23 March, 2025 @22:53
Prishtina i është kthyer fitores në Superligë pas humbjes që pësoi nga Ylli! Ekipi bardhekaltër nga kryeqyteti mposhti Trepçën të dielën mbrëma në derbi, ku deri në sekondat e fundit nuk dihej fituesi.
25 sekonda para fundit të ndeshjes, rezultati ishte 80-79 në të mirë të vendasve, ndërsa 14 sekonda para mbarimit 82-79 pas gjuajtjeve të lira të sakta të Rasid Mahalbasicit.
Në sulmin tjetër, Drilon Hajrizi nuk arriti të shënojë tentimin e tij për tre pikë, kur kishin mbetur edhe 7 sekonda deri në fund, e Prishtina pastaj me kosh-faul, bëri rezultatin përfundimtar, 85-79 në të mirë të saj.
Josh Nzeakor dha 19 pikë, 2 asistime e 6 kërcime në këtë fitore, ndërsa 18 shtoi Rasid Mahalbasic që bëri edhe 5 asistime e 9 kërcime. Me 16 pikë lojën e përfundoi Donte Clark e 15 të tjera i dha Jordan Davis.
Te Trepça, Michael Green III me 19 pikë ishte më efikasi, kurse Junior Madut, përforcimi i fundit për këtë stinor te gjelbërezinjtë, dha 16 pikë të tjera. Drilon Hajrizi kreu lojën me 11 pikë, ndërsa treshja nuk ia deshi fare sonte, ku shutoi 0/5!
Pas xhiros XXV, Trepça e Prishtina janë në pozitat 2 dhe 3 me bilanc të njëjtë, 16-9! Por, këtu del tash në pah roli i ndeshjeve të ndërsjella. Në rast se ekipet përfundojnë stinorin me bilanc të njëjtë, pikë të barabarta, atëherë në skenë del rezultati i ndërsjellë mes ndeshjeve të stinorit.
E me fitoren e sontme, Prishtina ka bërë bilancin direkt ndaj Trepçës, 3-1 që do të thotë se me bilanc të barabartë pas XXVIII xhirosh, kryeqytetasit do të jenë një pozitë më lartë sesa mitrovicasit.
i:
DUELET E KËTIJ STINORI: | Trepça - Prishtina, 76-82 Prishtina - Trepça, 68-81 Trepça - Prishtina, 86-88 Prishtina - Trepça, 84-79. |