RIKTHIM TE FITORJA

TOPSPORTI/ A. Paçarizi
Pas 4 humbjeve, Vëllaznimi i kthehet fitores!
23 March, 2025 @22:06
Me një lojë të mirë të treguar në çerek të dytë dhe të tretë të ndeshjes, Vëllaznimi i ka thënë stop sonte humbjeve në Superligë, pasi që në katër xhirot e fundit pësuan radhazi!
Ekipi gjakovar ka dalë triumfues në “Sezai Surroi” sonte, pasi që mposhti me lehtësi Prizrenin me 18 pikë dallim, 77-95. Te ekipi i drejtuar nga kroati Jeronimo Sarin lojtari më efikas sonte ka qenë Atik Koshi, që dha 21 pikë, ndërsa me 10 të tjera është dalluar Trey Anderson.
Te bardhezinjtë vendas nuk ka mjaftuar loja e mirë e Tervell Beck, që kreu ndeshjen me double-double prej 22 pikësh e 14 kërcimesh e as 18 pikët e shënuara nga Lenzelle Smith!
Fitorja, bën që Vëllaznimi të bëj bilancin pas XXV xhirove 12-13, ndërsa Prizreni me humbjen e njëzetë sezonale tash është në 5-20 dhe është i fundit në tabelë të klasifikimit (pozita e tetë). Vëllaznimi gjendet në vendin e pestë, me bilanc të njëjtë si Ylli në të gjashtin.