DISTRIA KRASNIQI

Distria e artë në Samsun
27 March, 2015 @20:33
Sukseset e xhudos kosovare nuk kanë të ndalur. Sot në qytetin Samsun të Turqisë, ku po mbahet gara e ‘Samsun Grand Prix 2015’, xhudistja Distria Krasniqi ka arritur të tregojë sukses të madh duke e fituar medaljen e artë në kategorinë ku ajo garon (deri 52 kg).
Distria në finale e mposhti xhudisten belge, Ilse Heylen, fituese e medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike 2004 dhe gjysmëfinaliste në Lojërat Olimpike 2012.
“Ndjehem vërtetë shumë e lumtur. Sot gjithçka shkoi në mënyrë perfekte. Unë e di që Majlinda Kelmendi është numër një në botë në kategorinë e saj dhe unë nuk jam këtu për ta sfiduar ate. Ajo është më e mira. Por është mirë kur ke disa kundërshtarë,” tha Distria pas fitores së madhe sot.
Ndërsa xhudistja tjetër kosovare, Nora Gjakova, e cila garoi në kategorinë deri në 57 kg, përfundoi në pozitën e shtatë pasi u mposht në çerekfinale.
Gara e sotme, Samsun Grand Prix 2015, ka rëndësi të veçantë për xhudistët që synojnë të luftojnë në Lojërat Olimpike, pasi që pikët e fituara nga kjo garë do të vlejnë në kualifikimet për Olimpiadë.