TENIS
Gjakova me kompleks modern të tenisit
27 February, 2017 @16:40
Përmes një njoftimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është bërë i ditur lajmi për ndërtimin e një kompleksi të tenisit në qytetin e Gjakovës.
Ky kompleks, i cili është investim i Ministrisë bashkë me Bashkimin Evropian, do të kushtojë 450 mijë euro dhe pritet të jetë modern dhe cilësor.
Sipas burimeve të Borozani.com, ideja e ndërtimit të këtij kompleksi ekziston tash e sa vite, me Federatën e Tenisit në krye me Shkëlzen Domin (dikur kryetar, sot nënkryetar) që ishin ideatorë të këtij projekti, mirëpo bisedimet morrën shumë kohë, derisa erdhi te nënshkrimi i një memorandumi dhe gjithçka u bë zyrtare javën e kaluar.
Nga informacionet e siguruara, është bërë e ditur që ky kompleks do të ndërtohet në pjesën periferike të Gjakovës, afër hapësirës së Shkugëzës, ndërsa gjithsej do të ndërtohen 4 fusha të tenisit.
Fushat do të jenë të llojit ‘Hard Court’ (lloje të terrenit në të cilat zhvillohen Grand Slam-e si US Open e Australian Open), ndërsa standardet e fushës do të jenë në pajtueshmëri me fushat e US Open. Përveç fushave, kompleksi do të përfshijë edhe zyret për trajnera, zyret për refera, zhveshtoret si dhe me shumë gjasa pritet të ketë edhe mini-bar.
Me shumë gjasë, në këtë kompleks do të mbahet edhe turneu i parë ndërkombëtar i tenisit në Kosovë. Ky turne do të jetë për grupmoshat U12, U14 dhe U16, raportojnë burime të Borozani.com.
Sa i përket klubeve të tenisit, në Gjakovë ekziston vetëm 1 klub i tenisit që nga viti 2001. Bëhet fjalë për klubin ‘Sporek’, i cili ka dy trajnerë të licensuar zyrtarisht nga ITF (Federata Ndërkombëtare e Tenisit), Arsim Haxhishabani dhe Lorik Haxhishabani. Nga kjo shkollë e tenisit, përkundër kushteve jo edhe aq të volitshme (gjatë dimrit stërvijet janë mbajtur në mënyrë të improvizuar në salla të basketbollit), kanë dalë disa kampionë të Kosovës në grupmoshat e reja, ndërsa me ndërtimin e kompleksit me kushte evropiane, ky klub pritet t’I zhvillojë stërvitjet në këtë kompleks, bëjnë të ditur zyrtarët e këtij klubi dhe sipas tyre, duke ditur që ky kompleks ka kushte cilësore për zhvillimin e tenisit, pritet zhvillim edhe më i madh i këtij sporti në qytetin e Gjakovës.
Foto nga ushtrimet e klubit të tenisit ‘Sporek’
Gjithashtu, ky kompleks mund të bëhet qendra e tenisit të Kosovës, marrë parasysh që në asnjë vend tjetër të Kosovës nuk ka ndodhur ndonjë investim i tillë në këtë sport. Gjithsesi, detajet e tjera do të konfirmohen më vonë.
Dy trajnerët e klubit ‘Sportek’ bashkë me trajnerin kroat Vjeran Friscic