AUTO SPORTS
Kalenderi hyn në histori të automobilizmit shqiptar
Teksti: FASK
21 August, 2017 @15:48
Ai ka triumfuar në garën që u mbajt në Saint Ursane të Zvicrës. Me Mitsubishi Evo IX, Kalenderi ka dominuar absolutisht në të dyja vozitjet e garës
Liridon Kalenderi është automobilisti i parë shqiptar që e fiton një garë të diciplinës malore e vlefshme për Kampionatin Evropian. Ai ka triumfuar në garën që u mbajt në Saint Ursane të Zvicrës.
Me Mitsubishi Evo IX, Kalenderi ka dominuar absolutisht në të dyja vozitjet e garës. Shtegun me gjatësi prej 5.6 kilometrash ai e ka kaluar me kohën e përgjithshme prej 4:38.704 minuta (përfshirë të dyja vozitjet), duke krijuar epërsi bindëse prej 30 sekondave ndaj të dytit, çekut Tomas Vavrinec, i cili udhëheq në plasmanin e përgjithshëm në Grupin N dhe është kandidati më serioz për titullin e kampionit.
“Jam shumë i kënaqur me suksesin e arritur, i cili realisht nuk ka qenë aspak i lehtë të arrihet. Përveç investimeve të mëdha, unë edhe kam rrezikuar shumë, por kjo është natyra ime. Gjithmonë jam optimist, kam besuar se mund të arrij këtë sukses dhe fatmirësisht ia dola”, ka thënë Kalenderi pas fitores historike.
Ai ka theksuar se, po të lejonin kushtet atmosferike me shumë gjasë do ta thyente edhe rekordin e shtegut nga i cili e ndau vetëm një sekond.