E FUNDIT

KB Peja shkarkon trajnerin Şemsettin Baş
16 February, 2022 @20:47
Skuadra e Pejës, pas mossuksesit në Kupë të Kosovës, ka ndarë rrugët me trajnerin turk të ekipit, Şemsettin Baş.
Njoftimin e ka zyrtarizuar pak më parë klubi verdhezi nga Karagaçi, derisa si trajner në ardhje po përfolet të arrijë njëri nga ish-trajnerët e skuadrës, Danijel Lutz.
“KB Peja njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me mirëkuptim të ndërsjelltë me trajnerin Şemsettin Baş. Klubi e falenderon trajnerin Şemsettin Baş për punën e tij të deritashme te KB Peja dhe i dëshiron suksese në të ardhmen,” ka shkruar njoftimi i klubit.
Përndryshe, Peja kishte pritje të mëdha si organizatore e Final 8 të Kupës së Kosovës, ku synonte të fitonte trofeun.
Mirëpo, verdhezinjtë u ndalën nga Trepça në gjysmëfinale të Kupës, ku këta të fundit edhe e fituan atë duke e mposhtur Bashkimin në finale.
Pejanët kanë mbetur tash edhe në dy gara për trofetë e këtij stinori, në Superligë për titullin kampion dhe në Ligën Unike.