Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARA NDESHJES ME ÇEKINË

Sylvinho: Do të jetë shumë vështirë, por jemi përgatitur mirë

Sylvinho, gjatë konferencës për shtyp në Pragë/ Foto: FSHF

Sylvinho: Do të jetë shumë vështirë, por jemi përgatitur mirë


Deklaratat janë marrë nga faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit

11 October, 2024 @12:09

Shqipëria me një fitore e një humbje nga shtatori, në tetor niset në dy ndeshje si mysafir. Sonte në Pragë, luajnë ndaj Çekisë, ndërsa selektorit brazilian të Shqipërisë dueli i duket shumë i njohur për shkak se luajtën edhe vjet në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024.

Sylvinho e vlerëson tepër të vështirë duelin, duke ditur forcën fizike dhe terrenin vendas që ndikon shumë në ndeshje të tilla. Sidoqoftë, përkundër edhe disa mungesave ai ka të qartë çka duhet të bëjnë lojtarët dhe pret që ekipi i tij në fushë të durojë minutat e para të ndeshjes. Pastaj, mund të ndodhë goditja.

Mëposhtë, po i sjellim përgjigjet e Sylvinhos nga konferenca e fundit për shtyp para ndeshjes së sontme, që nis prej orës 20:45.

TABELA AKTUALE, ORARI DHE REZULTATET

NGA KONFERENCA PËR SHTYP:

Si e prisni këtë ndeshje? — Do të jetë një ndeshje e rëndësishme duke qenë se Çekia është skuadër shumë fizike, bën tranzicione të shpejta, do të jetë e vështirë. Çekia ka shumë lojtarë të mirë, ka mesfushorë të mirë që mund të shënojnë edhe gola. Sulmuesi i tyre po ashtu është shumë i fortë, por ne jemi këtu për të luajtur. Janë 90 minuta përpara, jemi përgatitur. Asnjë trajner nuk e përgatit ndeshjen për të barazuar, por ne do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën.

Pse jeni kaq i menduar? —Lidhet me formacionin, gjendjen e skuadrës, ndeshjen nesër? – Kjo është jeta e një trajneri, lidhet me të menduarit dhe sigurisht duke punuar. Puna në Kombëtare është e tillë, duke qenë se janë 10 ditë për të punuar. Kemi dy transferta në këtë rast, kemi pak kohë për t’u përgatitur për ndeshjen. Është një sfidë e vështirë, shohim vazhdimisht kundërshtarin. Por jemi të bindur për formacionin që do të zgjedhim. Do të jetë e vështirë, por na pret një ndeshje e bukur. Është një ambient i bukur. E tillë është puna në Kombëtare, duke qenë se çdo gjë ecën shumë shpejt. Nuk ka shumë kohë për të humbur. Kemi zhvilluar disa seanca stërvitore, kemi analizuar ndeshjet. Kemi pasur pak kohë, por duhet të futemi në fushë për të dhënë më të mirën.

Mungesat në sulm? — Para një muaji kishim Manajn dhe mungonte Daku, tani kemi Dakun dhe mungon Manaj. Janë dy sulmues shumë të fortë me karakteristika të ndryshme. I kemi pasur edhe në Europian dhe pas Europianit. Në ndeshjet e shtatorit Manaj ishte pak i lodhur në sfidën e dytë, por kjo është puna e stafit dhe e trajnerit. Duhet të gjesh zgjidhje për të ecur përpara. E gjithë puna e Kombëtares nuk është e përqendruar në vetëm 10 ditë. I gjithë stafi punon në kohë të zgjatur dhe nuk punon me vetëm 23 lojtarë, por edhe me listën në pritje me rreth 60 lojtarë, pas të cilëve ne jemi gjithmonë i njohim dhe i ndjekim. Këtë herë kemi marrë Tucin, e njohim dhe luan këtu në Çeki. Është lojtar fizik dhe i mirë, nuk luan fiks si sulmues kryesor, por si trekuatrist dhe mesfushor i avancuar. Ka ardhur në Tiranë menjëherë pas ftesës dhe tani rikthehet përsëri në Çeki. Është lojtar interesant dhe tani ka mundësi për të treguar veten. E kam thënë edhe më përpara, unë nuk besoj në eksperimente, por besoj në mundësitë që mund të jepen. Nuk ka rëndësi nëse një lojtar luan 20 apo 90 minuta, por mund të ketë hapsirë për të qenë në Kombëtare. Stafi duhet të krijojë mundësi, të punojë dhe të gjej zgjidhje.

Pse e zhvilluat seancën stërvitore zyrtare në Tiranë? — Është çështje logjistike. Kishim një fluturim që duhet të ishim këtu në orën 17:00 dhe për të mos rrezikuar, që në rast të ndonjë vonese, ne të mos humbisnim stërvitjen, diskutuam dhe vendosëm që ta zhvillonim stërvitjen në “Shtëpinë e Futbollit”. Ne kemi një qendër stërvitore shumë të bukur. Nuk ishte frikë, thjesht çështje logjistike.

Qazim Laçi do të jetë nesër në formacion? — Nuk i kam kërkuar Laçit të më japi informacione për shokët e skuadrës më të cilët luan, por do ta pyes sonte. Në varësi të përgjigjes së tij do të vendosim nëse do të jetë pjesë e formacionit apo jo (qesh).

Ndeshja ndaj Çekisë? — Është një ekip i vështirë, i ashpër dhe luan në nivele shumë të larta. Kanë luajtur në kampionate Europiane dhe Botërore. Ne si skuadër jemi rritur dhe përmirësuar, por duhet të përmirësohemi akoma më tepër. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur, kemi lojtarë të mirë që po luajnë në nivele të larta. Nedim Bajrami kaloi te Rangers, një kampionat ndryshe dhe kompetitiv që luajnë edhe lojtarë të tjerë, siç është edhe Cerny i Çekisë që është fizik dhe i fortë. Ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe nesër do të kemi një ndeshje shumë të bukur. Përsa i përket sensit të inferioritetit nuk mendoj që ka, jemi dy skuadra të ndryshme. Kemi pasur një periudhë shumë të mirë me Kombëtaren, shkuam në Europian dhe zhvilluan kualifikuese shumë të mira. Ky është rrugëtimi jonë dhe të shohim se si do të ecim.

Si lojtar me Arsenalin keni shënuar një gol kundër Sparta Pragës, çfarë kujtoni nga ajo kohë? — Më jep emocione ajo ndeshje. Ka qenë një ndeshje e bukur. Koha kalon shpejt dhe çdo ditë duhet ta shohim si një dhuratë, për ta jetuar dhe për të bërë mirë. Ka qenë një gol i bukur ai që kam shënuar. Nuk e dija që edhe trajneri i Çekisë ka luajtur në atë kohë. Të dy kemi avancuar në jetën tonë, kemi kaluar në një stad tjetër. E njoh si trajner, ka trajnuar në Japoni, Katar, Francë. Është një trajner i mirë. Besoj se të dy do të donim të luanim në fushë, por jemi pak të vjetër për këtë gjë.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve