REAGIM I KLUBIT PRIZRENAS

KB Prizreni reagon ndaj zvogëlimit të subvencioneve!
12 June, 2025 @14:29
Ekipi që deri në stinorin 2024/25 ishte pjesë e Superligës, KB Prizreni, ka reaguar publikisht për zvogëlimin e subvencioneve nga DKRS - Prizren në mënyrë të vazhdueshme.
Bile, ata kanë publikuar të gjitha shumat që kanë pranuar më parë sipas viteve, duke bërë të ditur në fund që nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që u takon.
Mëposhtë, reagimi i plotë i KB Prizreni:
REAGIM PUBLIK
Drejtësisë dhe barazisë në shpërndarjen e subvencioneve në Komunën e Prizrenit!
Të dashur qytetarë të Prizrenit, ndjejmë obligim moral dhe institucional të ndajmë me ju indinjatën tonë lidhur me mënyrën e padrejtë dhe jo të barabartë të ndarjes së subvencioneve nga Komisioni “i pavarur” i DKRS-së në Prizren.
Ne si Klubi Basketbollistik Proton Cable Prizreni, kemi aplikuar brenda afatit dhe me dokumentacion të plotë. Jemi një klub me histori të pasur – me 7 vite në Superligë, 4 ekipe të gjeneratave të reja dhe një ekip femrash U14.
Si na vlerësuan?
Viti 1: 30,000 €
Viti 2: 30,000 €
Viti 3: 15,000 €
Viti 4 (2024): vetëm 6,000 €
Pas ankesës sonë, kjo shumë u “rishqyrtua” në 11,000 €. Por kjo është ende larg çdo standardi të drejtë e profesional.
Dje, pas publikimit të listave përfundimtare, nuk mund të heshtim më:
OJQ me seli në qytete tjera marrin afro 200% më shumë për një aktivitet 4-6 orësh.
Klube të nivelit më të ulët se ne përfitojnë 120% më shumë.
Shoqata të paidentifikueshme përfitojnë mjete të barabarta me ne.
Kjo është jo vetëm padrejtësi, por turp institucional!
Komisioni ka shpërndarë mjetet si “fontanë dëshirash”, pa kritere, pa barazi, pa meritokraci.
Nuk kërkojmë lëmoshë – por vetëm atë që na takon me meritë.
Ky vendim nuk do ta lëkundë as shpirtin, as motivin, as organizimin tonë si klub. Por kjo shpërndarje e stilit “dhurata babadimri për dostat” do të mbetet në ndërgjegjen tuaj – nëse e keni.
Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të këtij Komisioni të turpit.
Ku janë monitoruesit ligjorë të këtij procesi? A ekziston fare ajo listë? Ne besojmë që jo – por së shpejti do përgjigjeni edhe për këtë.
Ne nuk jemi të vetmit të pakënaqur. Por kemi guximin të flasim!
Zëri ynë nuk do të heshtë derisa drejtësia dhe dinjiteti të rikthehen aty ku u shkelën.
Vlerësoni vlerat, sepse vlerat ndërtojnë identitetin.
Sot jemi ne, nesër mund të jesh ti. Fitofshin vlerat – jo inatet dhe interesat!
Me respekt,
Bordi Drejtues i Klubit Basketbollistik Proton Cable Prizreni.