SHKELJET E EVIDENTUARA NË "SHANI NUSHI"

Foto: KBVellaznimi/fb
KB Vëllaznimi dënohet me 600 euro!
10 January, 2023 @14:47
Për shkak të mosrespektimit të Nenit 49.7 dhe 49.10 të Propozicioneve të Garave, në kuadër të ndeshjes së xhiros XVI të Superligës, Vëllaznimi është dënuar me 600 euro, ka bërë të ditur njoftimi i Informatorit Nr. 16 të Superligës botuar nga FBK-ja.
Neni 49.7 i PG-së përshkruan shkeljen: Animi dhe sjellja josportive e shikuesve ndaj policisë, sigurimit, institucioneve, FBK-së, etj dhe dënohet me 400 euro.
Ndërsa Neni 49.10 thotë: Hedhja/Ndezja e mjeteve piroteknike në tribuna që vështirëson zhvillimin e ndeshjes dhe dënohet me 200 euro.
Vëllaznimit këto dënime i janë përshkruar nga ndeshja me Rahovecin, të cilën ekipi gjakovar e fitoi me rezultat 93-74. Ndërsa në raportin e shkruar ndëshkimet janë përshkruar kështu:
“Gjatë intonimit të himnit të Republikës së Kosovës, është fishkëlluar nga publiku në sallë. Në minutën e katërt të çerekut të katërt është hedhur një mjet plasës. Në minutën e fundit të ndeshjes është ofenduar në kor FBK dhe kreu i saj. Vërejtje: Intonimi i himnit është lëshuar në të njëjtën kohë me një muzikë tjetër, që ka bërë të paqartë dëgjimin e himnit.”
Vëllaznimi pas 17 ndeshjeve të zhvilluara në Superligë ka bilanc 7-10 ndërsa në xhiron e XVIII ndeshet me Pejën në “Shani Nushi”.
Te skuadrat tjera nuk ka pasur ndonjë dënim tjetër të theksuar, pos atyre për gabime teknike të lojtarëve, trajnerëve ose të bankës. Te KB Prizreni është dënuar trajneri Edin Kërveshi me 50euro, KB Peja me 100 euro (2 teknike), te Bashkimi Prentiss Nixon me 50 euro dhe KB Bashkimi me 50.