MURRAY
Krenaria britanike
7 July, 2013 @21:02
Skocezi 26 vjeçar shfrytëzoi match-point’in e katërt të tij në finalen dramatike ndaj Novak Djokovicit, për të arritur fitoren e parë të tij në Wimbledon.
Pas tre orëve e dhjetë minutave Murray arriti që të shkojë hapave të Fred Perry-të, britaniku i fundit që e kishte fituar Wimbledonin - në vitin 1936.
Plotë 77 vite shprese u deshën që flamuri britanik të valëvit në Londër si fitues në njërën prej garave më të rëndësishme të tenisit në botë - dhe Murray e arriti këtë.
Perry atëherë kapërceu rrjetën kur festoi fitoren, ndërsa Murray sot - u ul në gjunjë, para se të shkonte të takojë nga afër stafin e tij dhe familjen.
Pak më vonë ai shkroi në Twitter: Nuk mund të besoj se çka ndodhi!!!!!!
Djaloshi nga Dunblane bëhet skocezi i parë që fiton Wimbledonin që nga viti 1896, kur e pat fituar bashkëkombasi i tij, Harold Mahony.
Ky është vetëm Grand Slam titulli i dytë për britanikun, që para kësaj ka të fituar vetëm US Open vitin e kaluar.
Përkundër që 77 vjet të tëra britanikët nuk e kanë fituar Wimbledonin, Britania e Madhe është përsëri në vendin e parë me 36 fitore në garën e meshkujve të Wimbledon - gjatë tërë historisë së saj.
Andy Murray ka më së shumti fitore në Grand Slam turne nga çdo tjetër tenist britanik. Skocezi ka 113 fitore në të gjitha Grand Slamet dhe është para Fred Perryt, që ka të fituara 106 sosh.
Fred Perry ka të fituara tetë Grand Slam tituj - tre në Wimbledon, tre Roland Garros, një US Open dhe një Australian Open.
E Murray, ka arritur deri më sot shtatë finale të Grand Slam-eve, dhjetë më pak se Perry.