THEMELOHET
Liga Unike nënshkruhet, tash duhet të nis puna
10 September, 2020 @23:08
Edhe zyrtarisht sot është nënshkuar themelimi i Ligës Unike në basketboll, ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe asaj të Kosovës.
Krerët e dyja Federatave kanë nënshkruar marrëveshjen për tetë skuadrat pjesëmarrëse sonte në Tiranë, ku prezent ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që ka bërë edhe zbulimin e llogos së Ligës në fjalë.
Pas një fjalimi të stërzgjatur të Ramës lidhur me themelimin e Ligës Unike, tashmë duhet khtyer kah puna e vërtetë e Kryetarit të Bordit dhe anëtarëve të saj, ndërsa orientimi kryesor duhet të bëhet kah skuadrat pjesëmarrëse, që do të jenë ato që në të vërtetë do ta bëjnë Ligën Unike - ligë të basketbollit.
Nga Shqipëria pjesëmarrës në Ligën Unike janë Teuta e Durrësit, Goga Basket e Tiranës, Vllaznia e Shkodrës dhe Partizani nga Tirana.
Nga Kosova pjesëmarrës në Ligën Unike janë Prishtina, Rahoveci, Ylli nga Suhareka dhe Peja.
Në ditët në vijim udhëheqësit e Ligës Unike pritet të bëjnë publike kalendarin e garave.
Më e mira është që në ceremoninë e sontme ka qenë pjesëmarrës edhe kreu i FIBA Europe, Turgay Demirel, që ka dhënë aminin për formimin e një lige të tillë.