TOKYO 2020
Kampionia e Rios, ndalet në Tokio
25 July, 2021 @9:46
Kampionja Olimpike nga Rio 2016, Majlinda Kelmendi nuk ka arritur të kalojë rrethin e parë të kategorisë deri në 52 kilogramë të xhudos në Tokio 2020.
Pejanja që ka shkruar historinë e vendit, sot në mëngjes është ndalë nga hungarezja Reka Pupp me një waza-ari në luftën e parë të saj dhe kështu heret e papritur u eliminua nga Lojërat Olimpike.
Kelmendi 30-vjeçare ka luftuar me lëndime në dy vitet e fundit, sidoqoftë ka qenë e gatshme plotësisht për Tokio, por kësaj radhe u ndalë papritur nga Pupp. Kjo e fundit në luftën e tretë u ndalë nga zviceranja Fabienne Kocher.
Në finale të garës, për medalje të artë do të ndeshen Amandine Buchard nga Franca ndaj Uta Abes japoneze.
Trajneri Driton Kuka pas eliminimit të Majlindës ka shkruar në llogarinë e tij të Facebookut se ajo është krenari e veprimtarisë së tij, ndërsa apër gjithë mundin dhe sakrificën që ajo e ka bërë për vendin - i është falenderues deri në frymën e fundit.
Përndryshe, kjo është hera e tretë që Majlinda Kelmendi po merr pjesë në Lojëra Olimpike. Ka debutuar në Londra 2012 me shtetësi të Shqipërisë, pasi që Kosova nuk ishte e pranuar në KON (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar), më pas në Rio 2016 me Kosovën mori medaljen e artë dhe kjo e treta në Tokio 2020.
Në këto periudha Kelmendi ka fituar gjithçka që mund të fitohet në xhudo, jo vetëm në Evropë, por edhe në Botë.