MEDIA TALK
Kuka: S’po më dalin fjalët
24 July, 2021 @16:02
Trajneri mjeshtër i xhudos, Driton Kuka, pas triumfit të Distria Krasniqit në Tokio 2020, duke i sjellë medalje të artë Kosovës, ka thënë se fjalët nuk po i dalin më.
Në një bisedë me KTV-në, Kuka ka shtuar se ka pritur medalje prej Distrisë, por e arta ka qenë jashtëzakonisht diçka e madhe.
“Fjalët kanë mbetur pak në brendinë time dhe nuk po më dalin,” ka thënë ai fillimisht për të vazhduar.
“Kam pritur medalje prej Distrisë por e arta ka qenë diçka e madhe. Dy minutat e para Distrinë e zuri vetëkënaqësia dhe pas minutës së dytë ka ardhur në terren të vetin,” ka shtuar Kuka.
“Në momentin kur xhudistja japoneze ka pritur shumë, e kam pasur një ndjesi që po vjen momenti i gjuajtjes, një moment që është i jashtëzakonshëm për mua, sepse në 2 Olimpiada, dy medalje të arta është rezultati më i madh që ka mundur të arrihet në sport,” ka thënë Kuka në bisedën e tij të shkurtër me televizionin në fjalë nga Tokio.
Distria Krasniqi është bërë medaliste e artë e Kosovës me fitore sot, ndërsa është e dyta në historinë e Kosovës, që po merr pjesë vetëm në Olimpiadën e dytë të saj si shtet.
Driton Kuka ka udhëhequr edhe Majlinda Kelmendin drejt të artës olimpike në Olimpiadën e kaluar, në Rio 2016.