TOKYO 2020 — XHUDO
Distria i sjell Kosovës medalje olimpike
24 July, 2021 @10:39
Distria Krasniqi është heroinë e radhës në Kosovë. Ajo ka arritur që pas një lufte tejet të barabartë të del më e mirë sesa mongolja Urantsetseg Munkhbat për të arritur finalen e kategorisë deri në 48 kilogramë.
Me këtë Distria Krasniqi do t’ia sjellë sigurisht Kosovës medaljen e parë nga Tokio 2020, ku në finale do të luftojë ndaj vendases Funa Tonaki që mposhti në gjysmëfinale ukrainaisen e gjatë Daria Bilodid pas vazhdimeve.
Distria fitoi me një wazaari më tepër ndeshjen ndaj mongoles, derisa referja iu dha nga dy penallti për shkak të moskontaktit. Vërejtjen e fundit Distria e mori krejtësisht taktikisht, sa për të humbur sekondat e mbetura të duelit gjysmëfinal, pasi që veçse kishte kapur wazzarin që e çonte drejt fitores dhe mbrohej nga ipponi i kundërshtares.
Distria me mposhtjen potenciale të Tonakit në finale do të merrte të artën olimpike, që do të bëhej e dyta në histori të Kosovës.
Ndërsa në rast se mposhtet në finale, do të jetë medalja e parë e argjendtë e Kosovës e fituar ndonjëherë në Lojëra Olimpike.