MEDIA
Mediat serbe: “Shteti i rrejshëm” i Kosovës merr të artën olimpike
24 July, 2021 @16:24
Disa nga mediat serbe online kanë raportuar sot për suksesin e Distria Krasniqit në Lojëra Olimpike.
Derisa asnjë sportist i Serbisë ende nuk ka arritur të artën në Olimpiadën e Tokios, Distria Krasniqi nga Kosova ka sjellë të artën për vendin e saj.
Në raportimet e tyre, Informer ka shkruar: “Shteti i rrejshëm i Kosovës ka fituar të artën olimpike, xhudistja Distria në fron!”
Ndërsa B92 ka shkruar: “E ashtuquajtuara Kosovë ka fituar të artën në Tokio,” si titull, ndërsa në nëntitull ka theksuar: “Shteti i vetëshpallur i Kosovës ka fituar medaljen e dytë olimpike në po aq pjesëmarrje në Olimpiada.”
Në anën tjetër, në brendi të artikullit pos pengesës së Kosovës, raporti ka qenë korrekt sa i përket luftës së bërë nga Distria Krasniqi - derisa shtetësia e Kosovës tashmë botërisht dihet që është halë në sy për Serbinë.
Telegrafi serb në titull ka shkruar: “E ashtuquajtura Kosovë ka kampione olimpike: Krasniqi fiton të artën.” Derisa në nëntitull ka theksuar: “Xhudistja nga Kosova e Metohia, Distria Krasniqi, që përfaqëson të ashtuquajturin shtet Kosovë në LO ka fituar medaljen e artë sot.”