RAMI HADAR, PAS NDESHJES

Fotot: FBK
“Mbrojtja e mirë, na mundësoi sulmin e mirë”
8 May, 2023 @14:25
Trajneri i Pejës, Rami Hadar, ka qenë i kënaqur me lojën e ekipit të tij pas ndeshjes së dytë të serisë finale të PlayOffit të Superligës, ndërsa mposhtën Trepçën thellë për të barazuar serinë në 1-1.
Në deklaratën e tij dhënë pas ndeshjes, ai ka thënë se pas ndeshjes së parë lojtarët kërkuan justifikim për humbjen, ndërsa si trajner Hadar u kishte porositur se nuk kanë luajtur si duhet. Prandaj, përgatitja për ndeshjen e dytë të serisë ka qenë më e mirë dhe basketbollistët kanë dëgjuar këshillat me ç‘rast arritën edhe te fitorja.
“Së pari, pas lojës së parë kemi kërkuar justifikim, referët, publiku dhe gjërat tjera, ndërsa unë u thashë lojtarëve, shikoni nuk po luani mirë, pa marrë parasysh se çka po ndodh në anën tjetër. Duke e shikuar ekipin tim, po u them, djem ne mund të luajmë shumë më mirë. Sot kemi qenë shumë të kujdesshëm, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. E kur po luajmë mbrojtje të mirë, ajo po na mundëson sulm më të mirë, këtu është fuqia jonë,” ka thënë ndër të tjera trajneri izraelit i Pejës.
Pas barazimit të serisë në 1-1, ndeshja e tretë e serisë luhet të enjten në Minatori të Mitrovicës. Deri tash, të dyja skuadrat kanë shfrytëzuar avantazhin e terrenit vendas për të qenë seria e barabartë.