TË PAMMPOSHTUR EDHE PAS DERBIT
Peja fiton superderbin ndaj Prishtinës, me çerekun e fundit fantastik
28 October, 2023 @17:54
Tërë ndeshjen Prishtina në epërsi, bile deri në 11 pikë dallim në një moment, ndërsa një çerek i fundit (9-30) maestral i kampionit ka bërë që të dërrmohen vendasit dhe Peja të fitojë me plotë meritë në fund dhe atë bindshëm, 80-95.
Prishtina nisi më mirë ndeshjen. Kishte epërsinë, ndërsa nuk lejonte që Peja ta merrte avantazhin. Mirëpo, ajo çka bëri Peja në çerek të fundit tregon për një nivel tjetër serioziteti në lojë, ndërsa verdhezinjtë kampionë shënuan 30 pikë në 10 minutat e fundit të ndeshjes, për të pranuar vetëm 9 dhe për të siguruar fitoren e gjashtë radhazi në Superligë.
Jacob Calloway dha 20 pikë e bëri 8 kërcime për Pejën, ndërsa Justin Davis dha 17 pikë e realizoi 18 kërcime në fitore. Malcolm Armstead kreu lojën tepër mirë me 13 pikë, 7 asistime e 5 kërcime, ndërsa Jay Jay Chandler shënoi 12 pikë, bashkë me 2 asistime e 4 kërcime.
Urald King debutoi te Peja me 10 pikë e 3 kërcime, për 20 minuta lojë sa i fitoi nga Rami Hadari në parket sonte.
Te Prishtina Dardan Berisha ishte koshashënues më i mirë me 17 pikë, ndërsa bëri edhe 3 asistime e 3 kërcime. Pos tij, nga 14 pikë shënuan edhe Shaheed dhe Sean Davis.
Me këtë fitore, Peja mban epitetin e ekipit të vetëm të pamposhtur në Superligë, ndërsa bën bilancin 6-0. Ndërkaq Prishtina pësoi humbjen e dytë dhe tash është në bilanc 4-2.