PËRFORCIM I RADHËS NË "KARAGAÇ"
Urald King - alo qendër e re te Peja
26 October, 2023 @18:51
Para pak çastesh Peja ka zyrtarizuar alo-qendrën e re të ekipit. Amerikani me përvojë në gara evropiane, Urald King, është lojtar i ri i KB Peja, ka bërë të ditur skuadra verdhezi, që mbrëmë arriti fitore tepër të rëndësishme në kuadër të FIBA Europe Cup.
Ai mund të luajë edhe në pozitën e qendrës sipas nevojës. King është 198 centimetra i gjatë, ndërsa në stinorin e kaluar ka luajtur për ekipin austriak Swans Gmunden. Ai është 33 vjeç.
Në stinorin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit që ka luajtur në FIBA Europe Cup, ndërsa mesatarisht ka pasur 30.6 minuta për ndeshje në këtë garë, ku po garon edhe Peja këtë stinor.
Në stinorin e kaluar të FIBA Europe Cup ai ka pasur mesatare prej 16.5 pikë për ndeshje, 7.5 kërcime dhe 1.5 asistime. Në Bundesligën austriake ai ka luajtur me 16.9 pikë për ndeshje, 1.8 asistime dhe 9.7 kërcime për lojë, duke arritur edhe 0.6 bllokada për lojë.
“KB Peja prezanton basketbollistin më të ri të skuadrës, amerikanin Urald King. King është përforcimi i fundit i klubit tonë, drejt synimit të madh - trofeve tjera. King më parë ka bërë karrierë në Gjermani, Francë, Austri, Finlandë, Islandë e Izrael. King ka një mesatare prej 17.5 pikëve dhe 9.4 kërcimeve, e tash ai do të vesh fanellën verdhezi në ndjekje të sukseseve tjera,” ka shkruar njoftimi i KB Peja sonte.
Nga fundi, ai ka luajtur në stinorin 2021/22 te KTP Basket i Finlandës me 14 pikë për ndeshje me 8.4 kërcime, 2019/20 te Stjarnan islandez me mestare prej 17.2 pikë për ndeshje, 10.7 kërcime dhe te Boulogne e Francës (kat. 3) me 11.4 pikë për ndeshje dhe 8.1 kërcime, ndërsa në dy stinorët para kësaj, 2018/19 Tindastolli Islandës me 20.3 pikë për ndeshje, 11.3 kërcime dhe 2017/18 në Valur të Islandës me 22.9 pikë për ndeshje dhe 15 kërcime!