Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E MADHE E PEJËS

Peja e fuqishme mposht “heronjtë” e Den Boschit

Fotot: FIBA

Peja e fuqishme mposht “heronjtë” e Den Boschit


Teksti: FBK

25 October, 2023 @22:31

Peja në shtëpi ka shënuar një fitore të jashtëzakonshme në grupet e FIBA Europe Cup. Pejanët kanë mundur Heroes Den Bosch me rezultat 99:84 (23:29, 19:19, 31:16, 26:20).
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi deri në shtatë pikë, 9:16, megjithatë pejanët të motivuar nga tifozët u rikthyen për të ngushtuar rezultatin në 21:24, ndërsa çereku i parë përfundoi 23:29. Verdhezinjtë me një seri prej 5:0 e nisën periudhën e dytë për 28:29, e më pas edhe 31:32, por holandezët shkuan në pushim me rezultat 42:48.

Rami Hadar @ Peja

Peja ishte e jashtëzakonshme në periudhën e tretë. Kampionët e Kosovës bën përmbysjen për të kaluar në epërsi 55:51, dhe më pas e thelluan këtë epërsi në nëntë pikë, 73:64, sa ishin shifrat pas 30 minutash. Verdhezinjtë shtuan epërsinë edhe më shumë në dhjetë minutat e fundit për të triumfuar 99:84.
Te Peja i jashtëzakonshëm ishte Jay Jay Chandler me 30 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime, ndërsa u ndihmua nga Tervell Beck me 18 pikë, Jacob Calloway me 21 dhe Arian Qallaku me 15 pikë. 

Arian Qallaku

Për Pejën kjo ishte fitorja e parë në këtë edicion të grupeve në FIBA Europe, kurse humbja e dytë për Heroes Den Bosch.
Peja në sfidën e ardhshme më 1 nëntor është mysafire e PGE Spojnia Stargard.

TABELA AKTUALE:

1. Ninners Chemnitz (GER) 2-0
2. Peja (KOS) 1-1
3. Spojnia Stargard (POL) 1-1
4. Heroes Den Bosch (NED) 0-2.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga