BAT
Peja përsëri bllokohet nga FIBA
16 September, 2020 @12:00
Përkundër situatës me COVID-19 që çoi skuadrat drejt krizës financiare, BAT nuk ka pasur mëshirë ndaj Pejës dhe i ka vënë sanksione në transferime për sezonin e ri.
Kjo po i ndodh për herë të dytë Pejës, që ishte ekipi i fundit që fitoi trofe në Kosovë para pandemisë, duke fituar Kupën e Kosovës me ekipin e fortë që kishte krijuar në ndërkohë përgjatë sezonit 2019/20 dhe synonte titullin kampion, derisa Superliga u ndërpre.
Sanksionet për Pejën janë bërë të ditura në faqen zyrtare të FIBA-së, që daton më 11 gusht, ndërsa për Kohën ditore e kanë konfirmuar edhe nga FBK këtë.
Arsyeja e bllokadës së re për verdhezinjtë është për shkak të mospagesës së kësteve të borxheve të zotuara për pagesë, që kanë rrjedh si pasojë e pandemisë, por BAT nuk ka marrë parasysh këtë.
Ky lloj i bllokadës nënkupton që Peja nuk do të mund të transferojë lojtarë të ri në skuadër dhe do të mund të llogarisë vetëm në ata që i ka pasur përgjatë stinorit të kaluar.
Përndryshe KB Peja ka aplikuar për regjistrim në FBK për stinorin e radhës, ndërsa këta të fundit kanë nominuar këta edhe për garat e Ligës Unike, që pritet të nis kah fundi i muajit të ardhshëm ku do të marrin pjesë katër ekipet më të mira të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe po pritet me mjaft entuziazëm.