Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA BARAZON SERINË

Pikët e Dardanit vendimtare, Peja barazon serinë ndaj Bashkimit!

Foto: KBPeja/ fb

Pikët e Dardanit vendimtare, Peja barazon serinë ndaj Bashkimit!


24 April, 2025 @21:04

Peja kishte epërsi prej pjesës së parë, kur Bashkimi nuk reagoi. Verdhezinjtë vendas dukej se po shkonin drejt fitores. Por, në momentet kyqe të ndeshjes, kur Bashkimi mori epërsinë ndaj Pejës pas një loje të mirë në çerek të fundit përmes Valon Bunjakut, 76-77, ka qenë veterani Dardan Berisha që ka dalë në skenë për të shpëtuar Pejën.

Berisha 36-vjeçar ka shënuar dy herë pikë radhazi, për të bërë rezultatin 82-79 pasi që Amin Hot kishte shënuar dypikëshin e parë, ndërsa Dardani duke rrëmbyer top nga playi i Bashkimit.

Tentimet e Bashkimit për tre pikë në fund, nuk ishin precize, ndërsa përfundimtarja 84-79 bëri që Peja të barazonte serinë e gjysmëfinales në 1-1. Seria tash bartet në Prizren, ku ndeshja e tretë luhet në “Sezai Surroi”.

Pos pikëve vendimtare, Dardan Berisha ka treguar vlerat e tij edhe gjatë ndeshjes. Ai ka qenë koshashënuesi më i mirë i ekipit të tij sonte. Dardani dha 23 pikë, duke shutuar 3/4 për tre pikë, ndërsa bëri 2 asistime e 5 kërcime në fitore, pa llogaritur topin e rrëmbyer në momente vendimtare.

Nga lojtarët tjerë te Peja, Darryl Morsell dha 13 pikë, Benas Griciunas 12 pikë e 6 kërcime, kurse Marquez Townes 10 pikë e 9 asistime në këtë fitore.

SKEMA E PLAYOFFIT

Te Bashkimi që u këndell në pjesë të dytë të ndeshjes, ndërsa në momente vendimtare nuk tregoi pjekuri për të bërë serinë 2-0, më efikasi ka qenë Jayveous McKinnis me 15 pikë e 9 kërcime. Me 11 pikë luajti Valon Bunjaku, ndërkaq nga 10 pikë dhanë Lejson Zeqiri e Wendell Green.

Këta dy të fundit nuk e kishin ditën sot. Zeqiri shutoi 2/8 për tre pikë, kurse Green 1/7!

Me këtë fitore, Peja barazon serinë në 1-1 ndërsa udhëton në Prizren për ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale. Seria gjysmëfinale e playoffit luhet në sistemin vajtje-ardhje me Bashkimin që ka përparësi terreni vendas. Ekipi që së pari arrin tre fitore, merr biletën për finale të playoffit.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga