Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NDESHJE PËR ANALET E FUTBOLLIT

Triller në Barcelonë!

Triller në Barcelonë!


30 April, 2025 @23:56

Barcelona dhe Interi dhurojnë spektakël me gjashtë gola – gjithçka e hapur para sfidës së kthimit në “San Siro”

Barcelona dy herë u rikthye nga disavantazhi për të barazuar me Interin në një ndeshje dramatike me gjashtë gola në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, duke lënë gjithçka të hapur para sfidës së kthimit në Milano.

Interi tronditi vendasit që në sekondën e 30-të, kur Marcus Thuram realizoi me një goditje mjeshtërore me thembër pas një asisti të ulët nga Denzel Dumfries – duke vendosur rekordin për golin më të shpejtë në historinë e një gjysmëfinaleje të këtij kompeticioni.

Vetë Dumfries dyfishoi avantazhin për zikaltrit në minutën e 20-të me një goditje spektakolare me gërshërë, duke lënë të shokuar tifozët në “Montjuic Olympic Stadium”.

Por magjia e Lamine Yamal ringjalli Barcelonën. Ylli 17-vjeçar realizoi një gol të mrekullueshëm në minutën e 24-t, kur shmangu disa mbrojtës dhe përfundoi aksionin me një goditje të bukur me të majtën që preku shtyllën para se të përfundonte në rrjetë.

Yamal ishte në zemër të çdo aksioni të rrezikshëm për Barçën, duke goditur dy herë shtyllën dhe duke festuar ndeshjen e tij të 100-të me fanellën katalanase me një paraqitje brilante – 22 gola dhe 33 asistime në moshën vetëm 17-vjeçare.

Ferran Torres kompletoi rikthimin në pjesën e parë me golin e barazimit në minutën e 38-të, pas një asistimi nga Raphinha.

Interi sërish kaloi në avantazh në minutën e 63-të, kur Dumfries realizoi golin e tij të dytë me një goditje me kokë pas një krosimi nga këndi i Calhanoglu.

Por vetëm dy minuta më vonë, Barcelona reagoi me stil: Raphinha lëshoi një predhë nga 25 metra që goditi traversën, u përplas në shpinën e portierit Sommer dhe përfundoi në rrjetë për rezultatin 3-3.

Ishte një përballje frymëmarrëse mes dy stileve të ndryshme loje – ofensiva e guximshme e Barcelonës kundër organizimit të hekurt të Interit. Dhe 15 vite pas përplasjes së fundit në fazat me eliminim direkt, kur Interi i Mourinhos eliminoi Barcelonën e Guardiolës, këto dy gjigantë evropianë dhuruan një tjetër spektakël.

Edhe pse shumëkush dyshon se Barça mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me këtë stil kaq të hapur, pak mund të mohojnë se kjo skuadër e Hansi Flick ofron futboll emocionues për t’u parë.

Ndeshja e kthimit në “San Siro” pritet të jetë e zjarrtë, dhe nëse Yamal shfaqet sërish në formë të tillë, Barcelona mund të ëndërrojë finalen e parë që nga viti 2015.

Ah po, rezultati përfundimtar, Barcelona - Inter 3-3 [Yamal 24’, Ferran 38’, Sommer ag. 65’—- Thuram 1’, Dumfries 21’, 63’]


 
Të gjitha lajmet nga Champions League