RINOVOHET KONTRATA

Foto: Liverpool.com
Pas Salahut, edhe Van Dijk vazhdon me Liverpoolin!
17 April, 2025 @12:17
Edhe një gëzim për tifozët e Liverpoolit, që po presin me padurim edhe dy fitore këtë stinor për të festuar titullin kampion. Pas egjiptianit Mohamed Salah, kontratën me klubin e ka vazhduar edhe shefi i mbrojtjes së ekipit, Virgil Van Dijk.
Qendërmbrojtësi 33 vjeçar që po komandon mbrojtjen e ekipit të drejtuar nga Arne Slot, është kapiten i ekipit dhe ndër lojtarët e pazëvendësueshëm të ekipit. Ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2027 me ekipin nga “Anfield Road”, duke përfunduar kështu spekulimet për largimin e tij diku tjetër.
Holandezi Van Dijk që mbanë numrin 4 në fanellë, ka regjistruar deri tash 314 paraqitje duke shënuar edhe 27 gola në proces.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur me aventurën e deritashme dhe i emocionuar që do të vazhdojë të jem pjesë e klubit edhe së paku për dy vite. Jam tepër i gëzuar. Në pyetje ka qenë gjithmonë, vetëm Liverpooli. Kjo ka qenë çështja. Ka qenë në mendjen time, ka qenë plani im dhe ka qenë gjithmonë Liverpooli,” ka thënë dukshëm i emocinuar në deklaratë për faqen zyrtare të klubit, qendërmbrojtësi holandez i Liverpoolit.
Van Dijk, që mbron edhe ngjyrat e Holandës, erdhi te Liverpool nga Southamptoni në janar të vitit 2018 për tu bërë njëri ndër qendërmbrojtësit më të dalluar në botën e futbollit. Ai fitoi shtatë trofe prej asaj kohe me ekipin e Liverpoolit. Ekipi i tij kishte paguar rreth 85 milionë euro për transferin e tij. Southampton e kishte blerë nga Celticu për 15 milionë euro në verën e vitit 2015!