REKORD-KAMPIONIA E NIS ME FITORE PLAYOFFIN

Prishtina fillon playoffin me fitore dramatike ndaj Vëllaznimit
9 April, 2025 @21:18
Në një ndeshje me mbrojtje të mirë nga të dyja palët dhe me sulme kryesisht të suksesshme, Prishtina ka arritur falë fokusimit më të mirë në momentet e fundit të ndeshjes ta fillojë mbarë atë.
Prishtina ka fituar ndeshjen ndaj Vëllaznimit 71-69, mjaftueshëm për të marrë epërsinë në playoff 1-0 dhe për të shfrytëzuar suksesshëm epërsinë e terrenit vendas. Fitorja e bardhekaltërve erdhi në momentet e fundit të ndeshjes, në duelin ku shumë shpesh ndërrohej epërsia.
Vetëm 48 sekonda para fundit të ndeshjes Vëllaznimi kishte 4 pikë epërsi dhe topin në posedim. Ndërsa një top i humbur dhe një futje topi të gabuar në lojë nga Don Polloshka, të cilën prishtinasit e kapën, barazuan ndeshjen me pikët e Daniel Lekndreajt dhe më pas Olin Carter III shënoi për fitore! Tentimi i me Atik Koshin për tre pikë, i pasuksesshëm 10 sekonda para fundit dhe marrja e topit nga vendasit, siguroi fitoren për ekipin e Paco Olmosit, trajneri të ri të Prishtinës të ardhur enkas për playoff! Olmos debutoi sonte! Lekndreaj ishte ai shpirti luftarak sonte, që ktheu Prishtinën në lojë në momentet vendimtare.
SKEMA E PLAYOFFIT TË SUPERLIGËS
Pjesa e parë përfundoi baras 36-36, ku në çerek të parë Vëllaznimi dominoi 17-28, e në të dytën Prishtina barazoi 19-8! Çereku i tretë kaloi gjithashtu baras, 18-18.
Daniel Lekndreaj ishte më efikasi te Prishtina me 18 pikë të shënuara dhe 9 kërcime, ndërkaq me 16 pikë e 4 asistime lojën e kreu Jordan Davis. Olin Carter III që dha pikët e fitores, kreu lojën me 10 pikë.
Te Vëllaznimi, Jericole Hellems luajti me 20 pikë për të qenë koshashënuesi më i mirë i ndeshjes, kurse Don Polloshka pati paraqitje të suksesshme me 17 pikë e 7 asistime. Humbja ishte e dhimbshme për gjakovarët që thuajse e kishin lojën në kontroll në minutën e fundit të saj. E Jeronimo Sarin tashmë duhet t’ia qartësojë lojtarëve presionin ku ranë dhe gabimet që erdhën si rrjedhojë, për të shpresuar për më shumë në playoff!
Fitorja, bën që Prishtina të merr epërsinë 1-0 në çerekfinale të playoffit ndaj Vëllaznimit, ndërkaq ndeshja e radhës luhet në “Shani Nushi”. Më 12 prill Vëllaznimi pret Prishtinën në ndeshjen ku fitorja për gjakovarët do të thotë vazhdim serie. Nëse Prishtina fiton në Gjakovë, me 2-0 do të sigurojë gjysmëfinalen e playoffit, pasi që ekipi që arrin dy fitore në çerekfinale siguron biletën për katërshen më të mirë të stinorit.