TË PARËT E STINORIT TË RREGULLT

Prishtina fiton stinorin e rregullt, mposht lehtë Prizrenin
2 April, 2023 @22:03
Prishtina ka mbyllur stinorin e rregullt të Superligës me fitore sonte ndaj Prizrenit, që i ka dhënë asaj edhe vulosjen e vendit të parë, liderit të pjesës së rregullt të Superligës 2022/23.
Bardhekaltërit me ardhjen e Ahmet Kandemirit në ekip u këndellën, falë edhe përforcimeve të qëlluara, ndërsa do të nisin PlayOffin nga gjysmëfinalja si dhe do të kenë avantazhin e terrenit vendas në secilin duel, në rrugë për titull.
Sonte, gjithçka ka qenë e lehtë për prishtinasit, të cilët nuk e patën vështirë ndaj Ponte Prizrenit, ku këta të fundit janë në PlayOut dhe me mendje në ndeshjet për të siguruar stinorin e radhës në Superligë, pasi që do të ndeshen me Borën aty për të mbetur me status elit.
Ahmet Kandemir i dha sonte mundësi thuajse secilit lojtar në parket, ndërsa në fitoren 79-107 Rezart Memedi ka qenë koshashënuesi më mirë me 26 pikë të shënuara. 22 të tjera i dha Both Gach, kurse 18 të tjera shënoi Brooks Debisschop.
Si zakonisht, te Prizreni Adam Grant dhe Wayne Arnold ishin më të dalluarit. I pari dha 21 pikë, kurse tjetri 19 të tjera në humbjen e 20 të stinorit.
Prishtina mbylli stinorin e rregullt në vend të parë me bilansin 22-6 kurse Prizreni i parafundit në renditje mbylli sezonin e rregullt me 8-20.