PA GOLA NË "FADIL VOKRRI"

Fotot: FCPrishitna & FCFerizaji/ fb
Prishtina me 10 lojtarë, mbijeton Ferizajin!
20 April, 2025 @22:09
Rekorderja e barazimeve në Superligë, Prishtina, tash ka arritur në barazimin e 12-të sezonal, ndërsa ka ndarë pikët me Ferizajin sonte në “Fadil Vokrri”. Asnjëra skuadër nuk arriti të tundë rrjetën e kundërshtarit përgjatë 90-minutave lojë, ndërkaq për tu theksuar fakti se Prishtina luajti me 10 lojtarë për 65 minuta, pas kartonit të kuq direkt që mori Philippe Boueye! Prishtina - Ferizaji 0-0.
Boueye shkaktoi një faul të ashpër në mes të fushës, që në fillim nuk dukej i rrezikshëm dhe referi Lirim Jashari menjëherë ia dha të verdhën. Por, pas konsultimit me VAR dhe rishikimit të situatës, ai anuloi të verdhën dhe dha të kuqen direkte për lojtarin e cekur (25’). Gjithsesi, para kësaj Prishtina kishte arritur vetëm një goditje drejt portës, por jo në kornizë të kundërshtarit përmes Drilon Islamit të rikthyer në ekip.
Ferizaji në anën tjetër në pjesë të dytë pati dy raste të mira për të marrë fitoren, por njëherë kapiteni Edon Sadriu nuk u tregua i saktë (71’) e më vonë Betim Haxhimusa tentoi vetë, derisa kishte opcione afër tij (80’), por shuti i tij goditi mbrojtësin prishtinas.
Me kaq, ndeshja gjeti fundin e saj pa shumë raste të theksuara në përgjithësi, ndërkaq pasi ekipet ndanë pikët, tash gjendja e tyre pas XXX xhirosh në Superligë është se Prishtina është e pesta, me 39 pikë. Ferizaji mbi ta në renditje, me 42 pikë.
Në xhiron e radhës, Prishtina i shkon Llapit në “Zahir Pajaziti”, ndërkaq Ferizaji pret kandidatin për titull kampioni dhe lideren e Superligës, Dritën.