RAHOVECI - PRISHTINA
Rahoveci goditet nga ish-lojtarët, Prishtina 100% vendore në finale
23 October, 2020 @19:22
40 minuta nuk mjaftuan për ta caktuar finalistin e parë nga dueli në mes të Rahovecit dhe Prishtinës.
Pas 5 minutave shtesë nga vazhdimet, fituese nga ky duel doli skuadra e Prishtinës, duke e mposhtur kundërshtarin me rezultat 84-89.
Prishtina e mbylli pjesën e parë me 10 pikë epërsi, por vreshtarët nuk u dorëzuan dhe në 20 minutat e dyta arritën ta dërgojnë ndeshjen në vazhdime.
E në vazhdime prej 16 pikëve të Prishtinës, 11 pikë erdhën nga ish-lojtarët e Rahovecit: Arian Qallaku dhe Atik Koshi të cilët e luajtën rolin kryesor në fitoren e Prishtinës.
Arian Qallaku shkëlqeu me 29 pikë, 10 kërcime, 5 asistime dhe 2 topa të vjedhur, derisa u ndihmua edhe nga Altin Morina me 17 pikë e 7 kërcime dhe Fisnik Rugova me 15 pikë e 14 kërcime.
Te Rahoveci Marvin Jones u dallua me 32 pikë dhe Isaiah Taylor me 26 pikë e 8 kërcime, por nuk mjaftuan për fitore.
Prishtina në finale të Superkupës do të takohet me fituesin nga dueli Prizreni-Bashkimi.
Kështu ekipi i drejtuar nga Andin Rashica pasi që kaloi Vëllaznimin në çerekfinale të garës, tashmë duke e mposhtur edhe Rahovecin e drejtuar nga Bujar Loci, ka siguruar biletën për finale të garës.
Finalja e Superkupës së Kosovës do të zhvillohet të dielën mbrëma në Karagaç të Pejës.