EKSKLUZIVE
Ringjallja e rivalitetit të tri dekadave më parë
Shkruan: Blerim Myftiu
2 January, 2014 @22:57
Ivan Lendl (8 tituj Grand Slam, gjithsej 94), Boris Becker (6 tituj Grand Slam, gjithsej 49) dhe Stefan Edberg (6 tituj Grand Slam, gjithsej 42) kanë qenë tenistët rreth të cilëve është vërtitur sporti i bardhë në vitet 80-të dhe pjesërisht 90-të të shekullit të kaluar. Për brezat më të rinj që nuk kanë pasur mundësinë t’i përcjellin duelet e tyre të drejtpërdrejta, kjo treshe paraqet atë që në tenisin e sotëm botëror paraqesin Roger Federer, Rafael Nadal, Novak Djoković dhe së fundmi, Andy Murray. Rivaliteti i dikurshëm në fushë i çekosllovakut të atëhershëm dhe çekut të sotëm Lendl, gjermanoperëndimorit të atëhershëm dhe gjermanit të sotëm Becker, si edhe suedezit të përhershëm Edberg ka marrë një formë të re.
Ivan Lendl tanimë prej 31 dhjetorit 2011 është trajner i skocezit Andy Murray. Kurse, buzë sezonit të ri dhe Grand Slamit të parë, i cili tradicionalisht zhvillohet në Melbourne të Australisë, dy ikona të tjera të tenisit, janë rikthyer në stolin e trajnerit. Në ditët e fundit të vitit të kaluar u bë e ditur se Boris Becker po i bashkohej stafit të numrit dy në botë, Djokovićit. Kurse, pas spekulimeve disaditore, më 31 dhjetor u konfirmua se Stefan Edberg do t’i qëndronte krah Roger Federerit gjatë 2014-s.
Në tërë këtë mes, për momentin, mbetet se “i anashkaluar” ka mbetur spanjolli Rafael Nadal, i cili “prehjen” vazhdon ta kërkojë te mentori i tij, axha Toni. Nadali pëlqen të qëndrojë larg modës së re në tenis. “Tenisi është një lojë e thjeshtë. Ka të bëjë më shumë me lojtarin se sa me trajnerin. Në rastin tim, nuk kam pasur nevojë për një ish-kampion që të bëhet trajneri im. Ka mënyra të tjera që të kesh trajnerin e përkryer”, është kategorik Nadali.
Andy Murrayit i mungonte Grand Slami. I mungonte shtysa e fundit e cila do ta bënte një “winner” (fitues) dhe treshen absolute dominuese të tenisit (Federer-Nadal-Djoković) në dekadën e kaluar dhe të tashmen do ta shndërronte në katërshe! Angazhimi i Lendlit në prag të vitit të ri 2012 doli të ishte injeksioni i munguar, i cili Murrayt ia mundësoi së pari medaljen e artë olimpike në Londër 2012, më pas titullin e kampionit në US Open 2012 dhe Wimbledon 2013.
Derisa ky kombinim duket se deri tani ka dhënë rezultate, i papritur dhe nga shumë analistë tenisi, i panevojshëm dhe madje i gabuar, është cilësuar angazhimi i Boris Beckerit nga ana e Novak Djokovićit. “Janë personalitete të ndryshme. Kjo është e sigurt”, thotë legjenda e tenisit kroat, Nikola Pilić, duke e theksuar edhe thelbin e dyshimeve për këtë tandem. Ndërkaq, gazetari dhe analisti i tenisit, Matt Cronin, mundohet në këtë mënyrë të arsyetojë vendimin: “Supozoj se Djokovići kërkon dikë që do t’i ndihmojë në servise dhe volej goditjet, si edhe me lojën e gjithëmbarshme ofensive. Më çudit sidomos fakti që Djokovići ka pasur trajnerë të heshtur, kurse Beckeri është e kundërta e tyre. Do të jetë partneriteti më interesant në tenis.”
Ekipi që fiton thonë se nuk ndërrohet. Rasti i Djoković bie në kundërshtim me këtë, kur kihen parasysh sukseset e tij nën drejtimin e trajnerit të deritashëm, sllovakut Márian Vajda. Vajda do të jetë në katër turne krah Djokovićit, në mesin e tyre asnjë Grand Slam. Ngopja e dyanshme me njëri-tjetrin dhe siç pretendohet, dëshira e Vajdas për të qenë afër të bijës 18-vjeçe që synon të bëjë karrierë tenisi, spekulohet të jenë ndër arsyet e shkëputjes së pjesshme të këtij bashkëpunimi.
Derisa ekipi fitues nuk ndërrohet, ekipi dështues duhet të bëjë diçka që të jetë sërish fitues. Viti 2013 ishte sigurisht më i dobëti në karrierën e pasur të Federerit, viti kur heshtazi filluam të mendonim se po e shihnim perëndimin e një karriere të mahnitshme. Federeri përfundoi i gjashti në ranglistën e ATP-së. Festat e fundvitit e pritën edhe atë me një bashkëpunim të përtërirë. Zvicerani i heshtur vendosi që ta angazhojë suedezin e heshtur, Stefan Edberg, për të cilin thotë se e kishte “idhull fëmijërie”.
Federeri njihet si lojtar i qetë, që ka respekt të pafund për rivalin. Nuk e keni parë atë asnjëherë ta godas reketin për tokë, nuk e keni dëgjuar asnjëherë të thotë diçka thumbuese për kundërshtarin. Sa herë që jep intervistë, gjithmonë buzëqeshet, qoftë edhe pas humbjes. Përshkrimin të cilin ia bëjmë Federerit mund ta bëjmë “copy dhe paste” në profilin e Edbergut. Prandaj, derisa këta të dy paraqesin vazhdimësinë e njëri-tjetrit në kohë, nuk ka si të jetë përtej të natyrshmes bashkimi i tyre në raportin trajner-lojtar.
Bashkëpunimet e tilla duket se do të jenë freski e tenisit në 2014-n. Lendli, Beckeri dhe Edbergu rivalitetin direkt në terren e bartën në nivel taktikash. Ata nuk do t’i shohim natyrisht me veshjet sportive të bardha (dikur lejohej vetëm e bardha), me “shorce” super të shkurtra dhe shirita përreth kokës. Këshillat, lëvizjet, taktikat e tyre do të jetësohen tani në trupat e “nxënësve” të tij në kuadër të një loje tenisi që dallon në shumë aspekte me atë të tre dekadave më parë.
Deserti i parë fillon më 13 janar, në vendin e zakonshëm në të cilin tenisit i jepet starti – në Melbourne.