DITARI NR. 10 @ RIO 2016

Foto: Facebook
Shembulli i Majlindës dhe puna për Tokio!
Shkruan: Luan MORINA
15 August, 2016 @14:42
Pas përfundimit të kësaj Olimpiade historike, është koha e vlerësimit dhe planifikimit. Derisa kjo mund të kërkoj studim pak më të thellë se një kolumne, një gjë është e qartë – ka shumë punë për t’u bërë.
Por, nuk është diçka e pamundur dhe shembulli më i përkryer për këtë është Majlinda. Me talent të duhur, angazhim sipëror, dhe një mentor superior, medalja olimpike është mision i realizueshëm. Duhet punë, shumë punë, dhe jo vetëm nga vetë atleti, mentori, por edhe më shumë nga organet tjera. Organet qeverisëse, bizneset, e edhe ne si shoqëri duhet të mos kursejmë përkrahjen tonë, qoftë edhe minimale.
Jo vetëm për Tokion e pas katër viteve, por edhe për Olimpiadat që vijnë më pas, garat tjera kombëtare e ndërkombëtare të nivelit më të ulët, për të vazhduar me ato kombëtare, regjionale, komunale, e deri tek ato shkollore, puna duhet të nis qysh në moshën fillestare. Janë pedagogët arsimor që i japin hapat e parë fëmijëve për të vazhduar më tej.
Pritja e Majlindës ishte madhështore. Pse të mos kemi edhe shumë Majlinda tjera?! Majlinda ia ka dalë, ka qenë dikush nga ne, me asgjë tjetër pos një ëndrre. Dhe ja ku është, e artë olimpike! Duhet punë, nga hapat e parë të fëmijëve, dhe përkrahje të gjithëve që kontribuojnë në atë rrugë deri tek medalja.
ATLETIKA
Atletika është e bukur! Bolt është i dashur për të gjithë! Reagimi kur hyn në stadium flet gjithçka! Edhe më mirë është reagimi që kishin ndaj Gatlin. Turpërimi publik është ndoshta më i rëndë se sa dënimi dy vjeçar për doping. Një shembull i mirë për të gjithë ata që dëshirojnë të fitojnë në mënyrë të padrejtë. Medalja nuk është asgjë në krahasim me dashurinë e një planeti, diçka që ka Usain Bolt!
Sonte vijojnë garat tjera në atletikë. Përcaktohen çiftet çerekfinale për sportet ekipore, në badminton vazhdojnë çerekfinalet, dhe ngadalë po nisin finalet e boksit dhe mundjes që janë shenjat e para për fundin e Olimpiadës. Interesante do të jenë edhe finalet në aparatura në sportin e gjimnastikës.