ROLAND GARROS
Super Cecchinato, eliminon Djokovicin për gjysmëfinale
5 June, 2018 @19:29
Një çerekfinale tejet interesante u zhvillua sot mes italianit Cecchinato dhe serbit Djokovic.
Dueli filloi në mënyrë të shkëlqyeshme për italianin, i cili fitoi dy setet e para, mirëpo ‘Nole’ nuk u dorëzua dhe luftoi fort, për ta ngushtuar rezultatin mes seteve në 1-2.
E seti i katërt ishte i mrekullueshëm për të gjithë adhuruesit e tenisit! Që të dy teniserët zhvilluan luftë shumë të fortë mes vete, duke bërë që seti të shkojë fillimisht në 6-6 e më pas ‘gemi’ i 7 zgjati tejet shumë dhe në fund u fitua 13-11 nga Cecchinato, rezultat i cili e tregon më se miri se çfarë lufte e fortë u zhvillua.
Me këtë fitore, Cecchinato bën që Italia për herë të parë pas 40 viteve ta ketë një teniser në një gjysmëfinale të një Roland Garrosi, derisa për Djokovic ky është një nga zhgënjimet e radhës që e kanë kapluar kohëve të fundit.
Në gjysmëfinale, Cecchinato do të përballet me austrakin Dominic Thiem, i cili gjysmëfinalen e siguroi sot pas fitores ndaj gjermanit Zverev, derisa në gjysmëfinalen tjetër të Roland Garrosit të sivjetëm përballen fituesit e dueleve Nadal vs. Schwartzman dhe Del Potro vs. Cilic, duele të cilat zhvillohen nesër në mëngjes.