TENIS

Tennis Kosova
Tenisi pret pranim të plotë
13 February, 2015 @15:17
Gjatë muajit të ardhshëm tenisi kosovar pritet të marr një lajm të mirë nga Federata Europiane e Tenisit.
Bordi i Federatës Europiane ka vendosur që aplikimi i Federatës së Tenisit të Kosovës për pranim me të drejta të plota, të votohet nga delegatët e Ansamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate që do të mbahet në Lozanë të Zvicrës më 26-29 mars 2015, njofton faqja zyrtare e FTK-së.
Konfirmimin e ka dhënë Presidenti i Federatës Europiane, Jacques Dupre, i cili ka dërguar një letër në adresë të FTK-së që do të votohet aplikimi për pranim me të drejta të plota.
Federata e Tenisit të Kosovës kishte dështuar herën e parë për t’u pranuar me të drejta të kufizuara në vitin 2013, ndërsa në tenimin e dytë në vitin 2014 nuk u pranua për vetëm dy vota.
Pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar i ka plotësuar të gjitha kushtet e FTK-së për pranim të plotë, e që kjo pritet të arrihet gjatë muajit mars, njëjtë sikurse edhe Federata e Basketbollit të Kosovës që pret të pranohet në FIBA.