Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOMUNIKATA E FEDERATËS

Thyhet autobusi, FBK reagon për incidentin e mbrëmshëm në Pejë

Fotot: KBPrishtina/fb

Thyhet autobusi, FBK reagon për incidentin e mbrëmshëm në Pejë


10 February, 2022 @10:57

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka reaguar ashpër sot pas incidentit të mbrëmshëm të ndodhur në Pejë, kur autobusi që bartte ekipin e Prishtinës është sulmuar para ndeshjes dhe atë ashpër, duke iu thyer xhamat, ndërsa janë gjetur edhe tulla në brendi të autobusit që do të thotë se rrezikshmëria e sulmit ka qenë shumë e rëndë.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e dënon ashpër incidentin që ka ndodhur mbrëmë para ndeshjes së dytë çerekfinale të Final 8 Kupës së Kosovës, kur është sulmuar nga persona të panjohur deri më tani, autobusi i skuadrës së Sigal Prishtinës para palestrës “Karagaçi” në Pejë. Imazhe të tilla si ajo që ka ndodhur mbrëmë janë të papranueshme për komunitetin e basketbollit, por edhe për sportin në përgjithësi,” ka shkruar FBK fillimisht në njoftim.

bus

FBK ka kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin rastin dhe të identifikojnë huliganët për këtë gjest të shëmtuar dhe skajshmërisht të rrezikshëm.

“Federata e Basketbollit e Kosovës kërkon nga organet e rendit që të bëjnë përpjekje maksimale për të identifikuar këta persona në mënyrë që të tillët të mos kenë më vend në palestrat e sportit në vendin tonë. Federata e Basketbollit e Kosovës dhe organizatori i Final 8 Kupës së Kosovës, KB Peja janë zotuar se organizimi i këtij eventi prestigjioz do ta ketë sigurinë më të lartë të mundshme, duke filluar nga ekipet, tifozët e të gjithë akterët e tjerë që janë të përfshirë në të. Federata e Basketbollit e Kosovës, KB Peja dhe organet e rendit në Pejë do të vazhdojnë të garantojnë siguri për të gjithë akterët deri në përmbyllje të këtij eventi,” ka bërë të ditur FBK.

Gjithashtu, FBK ka thënë se do të merr masa të nevojshme ndaj akterëve.

bus

“Federata e Basketbollit e Kosovës dëshiron ta bëjë të qartë se ne do ti marrim të gjitha masat e nevojshme dhe do të shqiptojmë dënimet për akterët që bëjnë veprime të tilla, që nuk i kanë hije sportit, dhe që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë sportive, por as edhe njerëzore. Final 8 Kupa e Kosovës duhet të jetë festë e të gjithëve, dhe assesi nuk duhet të jetë një event që frymon përçarje,” ka përfunduar komunikata e Federatës.

 


 
Të gjitha lajmet nga