WIMBLEDON

Foto: Wimbledon
Triumfon Serena, barazon Steffi Grafin
9 July, 2016 @16:37
Në finalen e kategorisë së femrave në Wimbledon, fituese doli amerikanja Serena Williams, e cila e mposhti në finale gjermanen Angelique Kerber, për ta fituar Grand Slam-in e 22 në karrierë, duke e barazuar kështu legjendaren Steffi Graf, e cila vendin e parë me 22 Grand Slams të fituar e mbante që një kohë të gjatë. Sa i përket Wimbledonit, ky ishte titulli i shtatë në këtë turne për amerikanen Williams.
Në fakt, Angelique Kerber sot zhvilloi një ndeshje fantastike dhe Serena për asnjë moment nuk dukej dominante, mirëpo gabimet e Kerberit në momentet vendimtare në fundin e dy seteve përkatëse, bënë që titulli të fitohet nga Serena Williams. Si zakonisht, arma kryesore e amerikanes në këtë takim ishin shërbimet e forta. Williams pati 8 Aces vetëm në setin e parë.
Ky mund të mos jetë suksesi i vetëm i Serenes në Wimbledonin e sivjetëm, pasi që amerikanja do të jetë edhe pjesë e finales në kategorinë ‘Double’. Në finalen e kategorisë ‘Double’, Serena ka në skuadrën e saj motrën Venus Williams dhe në finale do të përballen me dyshen Babos-Shvedova. Kjo ndeshje luhet gjithashtu sot, me Serenën në formë fizike të shkëlqyeshme, që nuk i pengon zhvillimi i dy finaleve në ditën e njëjtë.