WIMBLEDON

Foto: Wimbledon Official
Eliminohet Federer, Raonic në finale
8 July, 2016 @17:36
Në gjysmëfinalen e parë në kategorinë e meshkujve, me një përmbysje fenomenale, Milos Raonic arriti ta mposhtë zvicranin Roger Federer, për t’u kualifikuar në finalen e madhe të Wimbledonit. Zvicrani Federer nuk arriti ta shfrytëzojë avantazhin 2-1 pas tri seteve të para, duke u eliminuar kështu për herë të parë në një gjysmëfinale të Wimbledonit. Deri më sot, Federer kishte arritur 10 herë në gjysmëfinale dhe në të gjitha rastet kishte kaluar në finale.
Dy setët e para kaluan me shumë gabime nga të dy teniserët, ndërsa në setin e tretë Roger Federer u përmirësua shumë, duke përmirësuar shërbimet dhe duke reduktuar gabimet elementare, derisa në anën tjetër Milos Raonic tregohej i papërvojë në momentet vendimtare, duke bërë shumë ‘Forehand Unforced Errors’.
Në setin e katërt, gjithçka ishte e barabartë deri në fund, me lojtarët që fitonin ‘games’ kur kishin në dispozicion shërbimet e veta, mirëpo në çastet vendimtare Roger Federer u tregua i pavëmendshëm, duke bërë dy ‘Double Faults’ radhazi në shërbimet e tij, e në anën tjetër kanadezi me origjinë malazeze nuk u dorëzua deri në fund, duke e mbyllur setin 7-5 për t’i barazuar setet në 2-2.
Përmbysja e madhe dhe e paparashikueshme erdhi në setin e pestë, set në të cilin Raonic u tregua fenomenal, duke shfrytëzuar moshën 10 vite më të re se kundërshtari dhe formën fizike më të mirë, për t’u kualifikuar kështu në finalen e parë në karrierë. Në anën tjetër, për Federerin ky duket të jetë një zhgënjim i madh, pasi që zvicrani deri më tani mbetet pa asnjë trofe në vitin 2016 dhe e humb mundësinë për ta fituar titullin e tetë të Wimbledonit në pjesëmarrjen e tij të 18. Vlen të përmendet fakti që në setin e pestë Roger Federer pati nevojë disa herë për fizioterapeutin e tij, me lëndimet të cilat po vazhdojnë ta shqetësojnë.
Në finale, kanadezi me prejardhje malazeze, Milos Raonic, pret fituesin e takimit mes Andy Murrayt e Tomas Berdych.