PEJA - VËLLAZNIMI

Pamje nga një fitore e Vëllaznimit/ Foto: KBVellaznimi/fb
Vëllaznimi befason Pejën në Karagaç
19 November, 2022 @20:56
Vëllaznimi ka bërë befasi që në fillim të xhiros së njëmbëdhjetë, ndërsa ka mposhtur Pejën në Karagaç, derisa liderja e Superligës ka pësuar për herë të dytë radhazi në shtëpi në kuadër të Superligës pas serisë prej 8-0!
Kuqezinjtë kanë luftuar në secilën periudhë të ndeshjes maksimalisht, ndërsa janë përkujdesur për rikthim të madh në pjesë të dytë të ndeshjes, kur i shënuan pejanëve, hiç më pak se 60 pikë për të fituar 82-91 [14-18, 26-13, 23-30, 19-30].
Vëllaznimi e nisi më mirë ndeshjen, por rikthimi i Pejës në çerek të dytë ka qenë i fuqishëm për të mbyllë pjesën e parë me 9 pikë dallim. E pastaj çka ndodhi në pjesë të dytë - befasoi jo vetëm Karagaçin.
Të saktë në shënime, ndërsa Peja pranonte nga 30 pikë për çerek për tu mposhtur me 9 pikë dallim në fund. Anthony Adger me 21 pikë ka qenë më efikasi te Vëllaznimi, ndërsa bëri edhe 7 kërcime e 2 asistime.
Me double-double kreu lojën Emmanuel Omogbo që dha 15 pikë e 14 kërcime, bashkë me 3 asistime dhe 1 bllokadë në fitore. Ndihma më e madhe për Vëllaznimin sonte ka qenë lojtari i tyre lokal, Atik Koshi. Atiku u ndez plotësisht për të shuar Karagaçin, ndërsa dha 19 pikë duke shutuar 2/4 për tri pikë dhe 6/12 për dy pikë në fitoren e madhe të ekipit të tyre.
Te Peja, Jalen Tate u bë lojtari më efikas i ndeshjes. Dha 35 pikë, ndërsa bëri edhe 6 asistime por s’mjaftuan, pasi që ekipi binte nga loja karshi gjakovarëve tejet të disponuar sonte.
Kjo është humbja e dytë radhazi për Pejën në Karagaç në kuadër të Superligës, derisa pas Ponte Prizrenit tashmë edhe Vëllaznimi i mposhti, për ta bërë bilancin e tyre 8-2. Në anën tjetër Vëllaznimi është ngritur në renditje me bilanc 5-6.