PRIZRENI - VËLLAZNIMI

Vëllaznimi befason Prizrenin, ngritet në renditje
15 October, 2022 @20:35
Forma e mirë që kishte kapur ekipi i Ponte Prizrenit me tri fitore radhazi përfundoi sonte. Bardhezinjtë u mposhtën në shtëpinë e tyre nga Vëllaznimi i Gjakovës, që ka arritur t’i befasojë ata në përballjen e zhvilluar në Sezai Surroi dhe atë me rezultat impresiv, 71-88 [26-23, 17-32, 13-14, 15-19].
Pos çerekut të parë, që Prizreni e mbylli me epërsi 3 pikëshe, të gjitha çerekët tjerë i kanë takuar Vëllaznimit, ndërsa në të dytin e bënë dallimin e madh, që ishte i pakapshëm për ekipin e Arbnor Rifatit.
Në anën tjetër Vëllaznimi me trajnerin që u tregua aktiv sonte, Josip Plantak, shkëlqeu, kurse Anthony Adger me 24 pikë qe më efikasi në ekip. Adger shutoi 5/12 për tri pikë.
Por, dy lojtarët e gjatë të ekipit, William Brown dhe Damonte Dodd kryen lojën me double-double për të dominuar nën-kosh ekipin prizrenas. Brown luajti me 17 pikë e 14 kërcime, ndërsa Dodd me 11 pikë e 14 kërcime.
Te Prizreni nuk kanë mjaftuar as 32 pikët e Dachon Burkes për fitore. Amerikani që luajti pa-pushim në ndeshje, 40-minuta, bëri edhe 8 kërcime, por pamjaftueshëm për të ngjallë ekipin sonte.
Lojtari tjetër i vetëm që shënoi pikë dyshifrore te Prizreni sonte ka qenë Wayne Arnold, që dha 18 pikë.
Kjo ka qenë fitorja e parë e Vëllaznimit këtë stinor si mysafir dhe e dyta në përgjithësi, ndërsa Prizreni që kishte nisur jo mirë stinorin dhe rreshtoi tre fitore, tashmë ka bilanc 3-3.