FITORJA E 15 RADHAZI

Ylli kaloi vështirë Vëllaznimin, vetëm pas vazhdimeve
22 January, 2023 @23:26
Aspak lehtë, aspak sic kanë menduar para ndeshjes, por në fund e arritën fitoren. Ylli është dashur të luajë vazhdimet për të mposhtur Vëllaznimin ashtu që të sigurojë fitoren e 15 me radhë në Superligë dhe të ruajë lidershipin në renditjen tabelare. Borozani.com
Suharekasit përkundër që arritën të rikthehen në ndeshje pas pjesës së parë jo fort të mirë, në fund me pikën e Henrik Sirkos nga gjuajtja e lirë cuan ndeshjen në vazhdime, pasi ajo u krye 66-66.
Pas vazhdimeve, gjithashtu ngushtë Ylli bëri dallimin me treshen e Gëzim Morinës, që nuk i dha më mundësi kuqezinjëve për rikthim dhe një befasi të madhe, ndërsa ndeshja përfundoi Ylli 79-76 Vëllaznimi [13-24, 17-14, 17-11, 19-17, 13-10].
Vëllaznimi ishte më i mirë në pjesë të parë, ndërsa Ylli dalëngadalë u rikthye në pjesë të dytë. Gjakovarët u treguan të rrezikshëm në pjesën më të madhe të ndeshjes, por në fund, festa u bë nga vendasit me përvojë.
Valon Bunjaku që shënoi vetëm dy pikë te kampioni sonte, ka bërë 10 asistime e 6 kërcime për të treguar nivelin e lartë të tij të përgjegjësisë, ndërsa më efikasi te Ylli ka qenë Bashir Ahmed që dha 19 pikë. Chris Harris luftoi mjaft nën kosh, ndërsa pos 8 pikëve bëri edhe 17 kërcime në këtë fitore, për ta mbajtur ekipin e tij lider në renditje.
Performanca gjigande e Damonte Doddit nuk mjaftoi te Vëllaznimi. Dodd dha 14 pikë bëri 24 kërcime, 2 asistime e 2 topa të rrëmbyer - që në fund nuk mjaftuan për pak. Atik Koshi shënoi 13 pikë, ndërsa më efikasi ka qenë Jahii Carson që dha 17 pikë.
Ndoshta, penalizimi i gjakovarëve erdhi prej gjuajtjeve për tri pikë, ku nga 26 tentime në total prej krejt ekipit, u shënuan 4, me përqindje saktësie 15, kurse Ylli kishte përqindjen 25, duke dhënë 6 nga 24 tentime!
Me fitoren e arritur sonte, Ylli ruan lidershipin në kampionat, ndërsa shënon fitoren e 15 të stinorit duke bërë bilancin 15-4. Vëllaznimi në anën tjetër, bëhet me 7-12 dhe është i parafundit në renditje.