SPORTE OLIMPIKE
Abetare Olimpike: Skitari nordike
Shkruan: LUAN MORINA
10 February, 2018 @10:00
Skitë ndryshojnë për të dyja stilet e kros kountrit, apo siç njihet ndryshe edhe si skitari nordike. Për stilin klasik i cili zhvillohet kryesisht në shtigje të përcaktuara me vijat e gropuar tashmë përdoren ski me hark më të theksuar për të lëmuar më shumë pjesën e poshtme të skive. Ndërkohë në stilin e lirë, përdoren ski më të rrafshëta pasi nuk ka rrugë të përcaktuar.
Ajo çfarë njihet si maratona në skitari nordike, gara në 50km për meshkuj dhe 30km për femra fillon me nisje masive (deri 50 skitarë) dhe ndërron çdo Olimpiadë për kah stili. Derisa në Sochi ishte stili i lirë në maratonë, në Pyeongchang është stili klasik që do të përdoret nga skitarët. Maratona zhvillohet në ditën e fundit, ngjashëm si në Olimpiadat verore.
Një kombinim i të dy teknikave zhvillohet në disiplinën e Skiatlonit. Është e vetmja disiplinë ku skitarët ndërrojnë skitë. Meshkujt kanë 15km stil klasik + 15km stil të lirë, ndërsa femrat kanë 7.5km në të dyja stilet. Edhe në këtë disiplinë ka start të përgjithshëm.
Tek garat me start masiv, rregulli për kampionin është kush kalon i pari linjën e finishit. Në start interval siç janë garat në 15km stil i lirë për meshkujt dhe 10km stil i lirë tek femrat, skitarët nisin garën në interval 30 sekondash dhe koha më e shpejtë individuale përcakton kampionin.
Krahas garave në distancë, në Olimpiadë janë prezentë edhe garat e sprintit. Është garë në grupe të cilat përfshijnë 30 skitarët më të mirë në kualifikimet individuale në interval. 30 garuesit ndahen në pesë grupe çerekfinale, dy të parët kalojnë në finale përfshirë dy më të mirët me kohë në pozitat tre e më poshtë, dhe në gjysmëfinale dy të parët kualifikohen në finale, plus dy humbësit me kohën më të mirë.
Finalja prej 6 vetave përcakton fituesin. Distanca e meshkujve është 1.8km, ndërsa e femrave 1.3km.
Gara në sprint vjen edhe me ekipe, ku zhvillohen gjashtë sprinte në formë stafete. Gara ekipore është edhe në distancë me femrat 4x5km dhe meshkujt 4x10km. Të gjitha kombëtaret startojnë njëkohësisht me start masiv, derisa dy ndërrimet e para kanë stil klasik, e dy të fundit stil të lirë.
Në stil klasik, dalja jashtë vijave të përcaktuara, pos në kënde dhe kur mungojnë ato me qëllim rezulton me diskualifikim. Ndryshe stili klasik njihet edhe si skitari diagonale, derisa stili i lirë edhe si skitari patinazhi duke lejuar skitarët të ngjiten më lehtë në terrene të pjerrëta.
Kros-kountri si disiplinë ka qenë pjesë e Lojërave Olimpike që nga fillimi i tyre. Megjithatë, disiplinat me kohë kanë ndryshuar çdo Olimpiadë.
Bjoern Daehli, Marit Bjoergen, Larissa Lasutina kanë dominuar Olimpiadat në tri dekadat e fundit. Bjoergen është akoma aktive, derisa Heidi Weng, Charlotte Kalla, e Stina Nilsson janë favorite tek femrat. Dario Cologna nga Zvicra dhe Sergey Ustiugov nga Rusia janë favoritët kryesorë tek meshkujt.