BASHKIMI NË FIBA EUROPE CUP

Bashkimi evropian!
11 July, 2025 @15:42
Ashtu siç u njoftuar ditë më parë, KB Bashkimi edhe zyrtarisht është pjesë e kualifikimeve për FIBA Europe Cup. Kjo është hera e parë dhe historike që ekipi prizrenas, një herë kampion i Kosovës, aktualisht nënkampion dhe fitues i stinorit të rregullt 2024/25 në Superligë — del në garë që organizohet nga FIBA Europe.
Pjesëmarrja historike e portokallezinjëve në këtë garë do të jetë e rëndësisë së veçantë, pasi që me pak fat në short, shpresat për të siguruar një vend në fazën grupore të FIBA Europe Cup, janë të mëdha.
KB Bashkimi ka bërë të ditur se kjo është mundësi e artë për të përfaqësuar me krenari klubin në një garë të tillë, që fut edhe qytetin në arenën evropiane.
“Më 23 korrik do të hidhet shorti zyrtar, ku do të përcaktohet kundërshtari ynë.
Pjesëmarrja në këtë kompeticion është një hap i madh përpara dhe një mundësi e artë për të përfaqësuar me krenari klubin, qytetin dhe basketbollin kosovar në arenën evropiane,” — shkruan prizrenasit në njoftim.
Përndryshe, Bashkimi si ekip jo-bartës, kundërshtar të mundshëm në kualifikime për FIBA Europe Cup mund të ketë njërin nga këto tetë ekipe bartëse: Mechelen, Balkan, Anorthosis, Transcom, Peristeri, Anwil, Prievidza dhe Dnipro.
Ekipet bartëse:
Kangoeroes Basket Mechelen (BEL) -
BC Balkan (BUL) -
Anorthosis Famagusta (CYP) -
Transcom Parnu (EST) -
Peristeri BC (GRE) -
Anwil Wloclawek (POL) -
BC Prievidza (SVK) -
BC Dnipro (UKR) -
Ekipet jo-bartëse:
Absheron Lions (AZE)
KK Bosna BH Telecom (BIH)
BC Cibona (CRO)
Basket Brno (CZE)
RASTA (GER)
BC Bashkimi (KOS)
Riga Zelli (LAT)
CSM Corona Brasov (ROU).
Njëri nga jobartësit, do të shortohet me një bartës dhe në duelet që do të luhen në sistemin vajtje-ardhje, më 24 shtator dhe 1 tetor, do të kuptohet kush do të futet në grupet e FIBA Europe Cup.
“Për herë të parë në histori, klubi basketbollistik Bashkimi do të marrë pjesë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, duke shënuar një moment historik për klubin dhe për gjithë qytetin e Prizrenit!
Sipas sistemit të garës, 8 skuadra të renditura do të përballen me 8 skuadra jo të renditura, ku Bashkimi bën pjesë në mesin e këtyre të fundit.
Ndeshjet do të zhvillohen me formatin “vajtje-ardhje” dhe skuadra fituese do të sigurojë kualifikimin në fazën e grupeve të këtij kompeticioni evropian.” — shkroi KB Bashkimi.
Prizrenasit këtë stinor do të drejtohen nga trajneri malazias që debuton në Superligë të Kosovës, Igor Jovovic, i cili më parë ka drejtuar ekipe nga Bundesliga gjermane, ndërsa si ndihmës-trajner ka qenë pjesë e Bayernit në Euroleague (garën më të rëndësishme të basketbollit evropian, por që nuk është në ombrellën e FIBA Europe).
Direkt të kualifikuarit në FIBA Europe Cup:
Neftchi IK (AZE)
BC Cedevita Junior (CRO)
Keravnos BC (CYP)
Surne Bilbao Basket (ESP)
Casademont Zaragoza (ESP)
Tartu Ulikool Maks & Moorits (EST)
JDA Dijon Basket (FRA)
Rostock Seawolves (GER)
Dinamo BDS Sassari (ITA)
Trefl Sopot (POL)
Sporting CP (POR)
CS Valcea 1924 Ramnicu (ROU)
Aliaga Petkim Spor (TUR).