GËZIM MORINA +3

Kapiteni betonon besnikërinë
9 July, 2025 @11:30
Ylli këtë stinor po feston 50-vjetorin e themelimit të klubit, ndërsa pas emërimit të trajnerit grek Fotis Takianos ka filluar të zyrtarizojë lojtarët të cilët do të bartin barën e skuadrës në edicionin jubilar të tyre.
Kështu, njëri prej të padiskutueshmëve në ekip, kapiteni Gëzim Morina mbetet aty, ndërsa klubi suharekas edhe zyrtarisht ka bërë të ditur se ai mbetet aty dhe jo për një, por edhe për tre stinorë tjerë!
“Kapiteni pjesë e misionit me KB Golden Eagle Ylli. Ju rikujtojmë se kapiteni Gëzim Morina do të vazhdojë të shkruajë historinë me KB Golden Eagle Ylli edhe për 3 sezone të tjera. 50 Vjetorin e festojmë me një kapiten i cili gjithmonë ishte në gjendje gadishmërie për klubin dhe Suharekën.” — bëri të ditur KB Ylli në njoftim.
Përndryshe, Morina 204-centimetra i gjatë tashmë 33-vjeç me këtë kontratë mbetet thuajse i përhershëm si shkëlqim i Yllit, për tu kujdesur edhe për të rinjtë eventual që fillojnë të tregohen në ekip.
Në stinorin e kaluar në Superligë, Gëzimi ka pasur mesatare prej 8.7 pikëve për ndeshje, 1.8 asistimeve dhe 5.2 kërcimeve për lojë. Prej se u kthye nga basketbolli slloven, Gëzim Morina ka mbetur si ikonë te Ylli, qe 5 stinorë të kaluar dhe tashmë betonohet si njeriu më besnik aty.